Perspektiva gjinore në ofrimin e kujdesit për SJN në Kosovë
Një natë të qetë, shumë kohë pasi pjesa tjetër e familjes kishte rënë në gjumë, një nënë në Kosovë qëndron zgjuar duke dëgjuar. Ajo dëgjon për shenjat e vogla që mund të tregojnë se diçka nuk është në rregull me nivelin e sheqerit në gjakun e vajzës së saj. Ajo kontrollon, pret dhe në mëngjes do ta bëjë sërish të njëjtën gjë.
“U bëra pankreasi i fëmijës tim”, thotë Fllanza Nici, instruktore e jogës dhe nënë e Lisës, e cila jeton me diabet të tipit 1.
Historia e Fllanzës nuk shpaloset në shumicën e statistikave shëndetësore në vend, por këtë mars ajo u bë pjesë e një bisede më të zgjeruar rreth gjinisë dhe sëmundjeve kronike jongjitëse (SJN).
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas 2026, projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) realizoi fushatën e titulluar “SJN përmes perspektivës gjinore”, që eksploroi mënyrën se si këto sëmundje përjetohen ndryshe nga gratë dhe burrat, jo vetëm në aspektin biologjik, por edhe në atë shoqëror. Siç e bën të qartë fushata, shëndeti nuk është kurrë neutral nga pikëpamja gjinore.
Fushata u shpalos në disa platforma. Ajo përfshiu një seri videosh të shkurtra me eksperte, me titullin “Biseda për shëndetin”, rrëfime vizuale përmes fotografisë dhe një episod të dedikuar të ACT Podcast. Së bashku, ato sollën pasqyrën e sëmundjeve kronike jongjitëse në Kosovë përtej klinikave, duke i vendosur në kontekstin e jetës së përditshme.
Ekspertet e sektorit shëndetësor sollën dëshmi dhe theksuan peshën e roleve shoqërore. “Sistemet e ndjeshme ndaj gjinisë fillojnë me të dhëna,” theksoi Dr. Besa Balidemaj Llolluni nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. Kjo u bë edhe më e qartë përmes rrëfimit vizual të fushatës.
Në “Fijen e kujdesit”, historia e Fllanzës shpaloset jo si rast mjekësor, por si jetë e ndikuar nga përgjegjësia. Në “Fijen e fuqisë”, vajza e saj, që jeton me diabet të tipit 1, flet për një tjetër lloj ekuilibri: menaxhimin e sëmundjes së saj, ndërkohë që përpiqet të duket “normale” në një botë që jo gjithmonë krijon hapësirë për ndjeshmëri.
Episodi i ACT Podcast u zgjerua më tej këtë diskutim: Pse gratë shumë shpesh vendosin shëndetin e familjes para shëndetit të tyre? Pse disa burra presin deri sa të jetë shumë vonë për të kërkuar kujdes shëndetësor? Dhe si mund të përgjigjen sistemet shëndetësore ndaj këtyre modeleve të rrënjosura thellë?
Duke sjellë së bashku njohuritë e ekspertëve me përvojat e jetuara, fushata e IHS kërkon të ndryshojë kontekstin e SJN-ve nga sëmundje të izoluara në pjesë të jetës së përditshme, të formësuara nga rolet shoqërore, pritshmëritë dhe puna e padukshme.
Fushata në këtë mënyrë rikujtoj se përmirësimi i rezultateve shëndetësore nuk ka të bëjë vetëm me trajtime më të mira apo më shumë shërbime, por edhe me kuptimin e kontekstit në të cilin njerëzit jetojnë, kujdesen dhe marrin vendime për shëndetin e tyre.
Ndërsa Kosova vazhdon të forcojë sistemin e saj shëndetësor dhe të rrisë fokusin në SJN, ky këndvështrim tregon se qasja gjinore është thelbësore për ta bërë funksional. Të kuptuarit më të qartë të një sistemi shëndetësor nuk vjen vetëm nga të dhënat, por edhe nga njerëzit që e mbajnë atë, natë pas nate.
Mësoni më shumë rreth fushatës:
Lexoni historitë e Fllanza dhe Lisa
Shikoni perspektivat e ekspertëve:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës
Spitali i Përgjithshëm i Pejës
Shikoni episodin special të podcast-it për Ditën Ndërkombëtare të Gruas