IHS

Kosova thekson në skenën ndërkombëtare përkushtimin e vet ndaj spitaleve promovuese të shëndetit

Rrugëtimi i Kosovës drejt standardeve të spitaleve promovuese të shëndetit u prezantua në Konferencën e 29-të Ndërkombëtare për Spitalet Promovuese të Shëndetit dhe Shërbimet Shëndetësore, të mbajtur në Austri më 20 – 22 shtator 2023. Prezantimi nga ekipi i Kosovës tregoi përkushtimin e institucioneve në përmirësimin e kujdesit shëndetësor duke u fokusuar në rolin edukativ shëndetësor të institucioneve spitalore.

Spitalet promovuese të shëndetit janë një rrjet i rëndësishëm i udhëhequr nga OBSH-ja që paraqet një standard të lartë në fushën e edukimit shëndetësor dhe të promovimit shëndetësor.

Prezantimi nga Fekrije Hasani, Eksperte e Lartë shëndetësore në projektin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (IHS) theksoi iniciativat kryesore, sfidat me të cilat ballafaqohen dhe ndikimin transformues që standardet e spitaleve promovuese të shëndetit do të kenë në kujdesin shëndetësor në Kosovë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në arritjen e rezultateve të qëndrueshme.

Edhe Dr. Fazli Shala, Drejtor Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ka përfaqësuar Kosovën në Konferencën e 29-të Ndërkombëtare për Spitalet Promovuese të Shëndetit dhe Shërbimet Shëndetësore, duke ritheksuar mbështetjen institucionale për këtë reformë. Procesi i zbatimit të këtyre standardeve lehtësohet përmes IHS, i cili është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë. 

Kjo nismë synon të mbështesë dy Spitalet e Përgjithshme në vend në përmbushjen e standardeve të Spitaleve promovuese të shëndetit, duke e bërë Kosovën kampione në këtë fushë.

SQ