IHS

Punëtori për të eksploruar Promovimin Gjithëpërfshirës të Shëndetit dhe Fuqizimin e Pacientit

Javën e kaluar, projekti IHS ka realizuar dy punëtori me stafin nga spitalet e përgjithshme në Pejë dhe në Gjakovë me fokus në promovimin e shëndetit dhe fuqizimin e pacientëve. 

Të fasilituara nga Oliver Gröne, PhD, Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të Rrjetit Ndërkombëtar të Spitaleve Promovuese të Shëndetit dhe Shërbimeve Shëndetësore, të dyja punëtoritë synonin pajisjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të nxitur një qasje e cila ka pacientin në qendër dhe për të promovuar mirëqenien e komunitetit.

Pjesëmarrësit eksploruan komponentët e ndryshëm të konceptit dhe ndikimin e tij të thellë në mirëqenien individuale dhe të komunitetit, reflektuan në fushat kyçe për promovimin e shëndetit brenda mjediseve spitalore në Kosovë, shkëmbyen ide dhe mësuan nga rastet e suksesshme studimore të iniciativave për promovimin gjithëpërfshirës të shëndetit. Seancat nënvizuan rëndësinë e fuqizimit të pacientit në kujdesin shëndetësor dhe rolin që kjo ka në arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore. 

Punëtoria u përmbyll me skenarë realë dhe qasje praktike të përzgjedhura për të përmirësuar njohuritë dhe shkathtësitë në lidhje me integrimin e strategjive për fuqizimin e pacientëve në praktikat e tyre të përditshme. Përveç stafit të spitalit, pjesëmarrës në punëtori ishin edhe përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kujdesi shëndetësor parësor dhe përfaqësues të pacientëve.

SQ