IHS

Adresimi i perspektivës gjinore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore

Prishtinë, 21 qershor 2023 – Pabarazitë me bazë gjinore kanë një ndikim të konsiderueshëm në shëndetin e grave në të gjitha fazat e jetës së tyre. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të diskutuara në një tryezë të rrumbullakët të organizuar në Prishtinë më 21 qershor 2023 për të trajtuar tematikën e paragjykimit gjinor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Tryeza e organizuar nga Projekti “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” dhe Projekti “Shërbimet e Integruara Shëndetësore”, të dyja këto projekte të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, mblodhi palët kryesore të interesit nga shëndetësia dhe sektorët e tjerë.

Përmes trajtimit të kësaj teme nga këndvështrimi i identifikimit të sfidave, eksplorimit të strategjive për të përmirësuar perspektivën gjinore në kujdesin shëndetësor dhe vetëdijësimit të të gjithë palëve, tryeza u shndërrua në forum ku pjesëmarrësit identifikuan edhe nevojat për trajnim të stafit shëndetësor që paragjykimet gjinore të trajtohen në mënyrë më efektive edhe në vijimësi.

Pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët ishin Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë, spitalet e përgjithshme, qendrat e mjekësisë familjare, komunat dhe shoqëria civile. Duke bërë së bashku njohuritë dhe përvojat e tyre, informatat e nxjerra nga ekspertiza e pjesëmarrësve kontribuojnë në zhvillimin e planeve të mëtejshme për rritjen e të kuptuarit të perspektivës gjinore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, gjenerimin e ideve novatore dhe zhvillimin e një plani për trajnimin e stafin shëndetësor.

Informatat janë të dobishme edhe për Simpoziumin e ardhshëm Ndërkombëtar për sëmundjet jo-ngjitëse (SJN) që do të mbahet në Kosovë më 27 – 29 shtator 2023, ku një nga panelet fokusohet në aspektin gjinor në ofrimin e shërbimeve të SJN. Qëllimi përfundimtar është sigurimi i kujdesit shëndetësor të barabartë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.

Projektet “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” dhe “Shërbimet e Integruara Shëndetësore” janë nisma të përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Qeverisë Zvicerane, që synojnë të promovojnë cilësinë dhe qasjen në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe të lehtësojnë mbështetjen e mëtejshme të kapaciteteve kombëtare në sektorin shëndetësor përmes një procesi pjesëmarrës në harmoni me politikat kombëtare shëndetësore. Të dy projektet zbatohen nga Swiss Tropical and Public Health Institute.

SQ