IHS

Programi për vetëmenaxhimin e diabetit për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientit

Në përpjekje për të trajtuar sfidat e informacionit për pacientët me diabet dhe për të përmirësuar kujdesin e përgjithshëm ndaj tyre, Projekti IHS po fasiliton procesin për lansimin e një Programi të Vetëmenaxhimit të Diabetit. Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të edukojë pacientët, të promovojë stile të shëndetshme jetese dhe të përmirësojë bashkëpunimin mes niveleve të kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor. Ky program është pjesë e aktiviteteve të Projektit IHS që të punojë me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor për të zhvilluar dhe zbatuar nismat e vetëmenaxhimit për pacientët me hipertension dhe diabet.

Javën e kaluar u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për Programin e Vetëmenaxhimit të Diabetit, i kryesuar nga z. Niman Bardhi, Ministria e Shëndetësisë. Grupi përbëhet prej përfaqësuesve nga Spitalet e Përgjithshme të Gjakovës dhe Pejës, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare të Gjakovës si dhe Shoqata e Pacientëve me Diabet.

Grupi punues përgatiti në detaje planin për aktivitetet e ardhshme deri në përfundimin e programit. Anëtarëve të grupit u është caktuar detyra e rëndësishme që të propozojnë detaje specifike në lidhje me programin e vetëmenaxhimit, përfshirë aspektet e rëndësishme si diagnostikimi i pacientëve, përcaktimi i metodave optimale të ofrimit të shërbimit, zhvillimi i mjeteve efektive të raportimit dhe monitorimit si dhe përcaktimi i kritereve për identifikimin “e pacientëve në gjendje kritike.”

Zbatimi i programeve të vetëmenaxhimit për pacientët me diabet është esencial që individët të fuqizohen të marrin në kontroll shëndetin e tyre dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive gjendjen e tyre. Duke ofruar edukim, mbështetje dhe mjete praktike, këto programe i pajisin pacientët me njohuri dhe burime për të marrë vendime të informuara, adoptuar stile më të shëndetshme të jetesës dhe përfundimisht për të arritur rezultate të përmirësuara shëndetësore.

SQ