IHS

Përfundon Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Profesionistëve të Kujdesit Shëndetësor në Kosovë

Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i profesionistëve të kujdesit shëndetësor me titull "Roli, rëndësia dhe sfidat në avancimin e praktikave profesionale të profesionistëve shëndetësorë" u organizua në Prishtinë më 05-06 prill 2024 nga Oda e Infermierëve të Kosovës. Ai mblodhi profesionistë shëndetësorë nga rajoni dhe e gjithë bota. Gjatë ngjarjes u prezantuan 45 punime shkencore me gjetje në sektorin e shëndetësisë. Në kongres morën pjesë rreth dhjetë mijë infermierë, mami dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë, si me prezencë fizike ashtu edhe në internet. 

Ngjarja u mbështet nga projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdes Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH). Më poshtë është përmbledhja e mesazheve kryesore nga fjalimi i mbajtur në emër të të dy projekteve nga Fekrije Hasani, Eksperte e Lartë Shëndetësore, IHS.

***

Tema e kongresit këtë vit ngërthen thelbin e misionit tonë të përbashkët. Dëshiroj të theksoj tre aspekte kryesore që pasqyrojnë kontributin tonë për avancimin e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe globalisht.

Para së gjithash, duhet të vëmë në dukje rolin kryesor që luajnë infermieret në zhvillimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë. Infermierët janë shtylla kurrizore e sistemeve shëndetësore kudo në botë dhe ato ofrojnë kujdes thelbësor dhe ekspertizën e tyre për të gjithë individët dhe komunitetet. Roli i tyre ndjehet në secilën shtëpi dhe komunitet, ata ndërtojnë shoqëri më të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti, infermierët kanë rol kyç për vendosjen e pacientëve në qendër të shërbimeve shëndetësore. Këtë e bëjnë përmes qasjes së tyre tërësore dhe përkushtimit që kanë për mirëqenien e pacientëve. Puna që bëjnë infermierët na rikujton sa e nevojshme është që çdo herë, prioritet të jenë ata të cilëve ne u shërbejmë, që çdo pacienti t’i ofrohet kujdes i dinjitetshëm dhe i personalizuar.

Së fundmi, dëshiroj të theksoj sa rëndësi kanë rrjetet ndërkombëtare në angazhimin tonë drejt ekselencës në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Jetojmë në një botë që çdo ditë e më shumë afrohet, ku sfidat shëndetësore kapërcejnë kufijtë dhe nxjerrin në dukje nevojën për zgjidhje që i gjejmë bashkë. Kultivimi i partneriteteve ndërkombëtare, ndarja e përvojave më të mira dhe kur mësojmë nga njëri – tjetri bën të mundur t’i japim shtysë inovacionit në kujdesin shëndetësor dhe të sjellim ndryshime pozitive.

SQ