Nis puna për hartimin e Sistemeve të Menaxhimit të Cilësisë për spitale
Kujdesi cilësor dhe i sigurt ndaj pacientëve arrihet përmes bashkëpunimit midis pacientëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor në një mjedis mbështetës. Përmes Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë (SMC), spitalet mund ta sigurojnë atë kujdes ndaj pacientëve, t’i reduktojnë gabimet dhe aksidentet si dhe ta optimizojnë shpërndarjen e burimeve.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka emëruar grupin punues për hartimin e standardeve të SMC-së në nivel spitalor, të kryesuar nga Dr. Niman Bardhi. Në mbledhjen e parë të mbajtur më 9 gusht 2023, anëtarët diskutuan planin e veprimit për zbatimin e SMC-ve, termat e referencës për punën e grupit në vazhdim dhe caktuan përgjegjësitë për mbledhjen e radhës.
“Prezantuam nismat e deritanishme lidhur me menaxhimin e cilësisë në nivel vendor dhe rezultatet e studimit të analizës së boshllëqeve për SMC-të të realizuar nga projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS)”, tha Dr. Ilir Mecini, zëvendësudhëheqës i ekipit në projektinIHS, që fasiliton aktivitetet e grupit punues.
Grupi Punues për Hartimin e SMC-ve në nivel spitalor përbëhet nga përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës.