Progres i dukshëm me nismën e spitaleve për promovimin shëndetësor në Kosovë
Më 18 shtator 2023, profesionistë nga Spitalet e Përgjithshme të Pejës dhe të Gjakovës, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ministria e Shëndetësisë u takuan për të vlerësuar progresin në lidhje me nismat për promovimin shëndetësor në nivel spitalor.
Ky takim kishte për qëllim prezantimin e raporteve të vetëvlerësimit të përgatitura nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës dhe i Gjakovës. Këto raporte kanë vlerësuar me kujdes respektimin nga spitalet të standardeve të vitit 2020 të vendosura për promovimin shëndetësor nga spitalet (HPH). Takimi shënon një moment me rëndësi në zbatimin e qasjes HPH, pasi u procedua me një raport të unifikuar bazuar në rezultatet e këtij ushtrimi fillestar të vetëvlerësimit.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e spitalit ndanë njohuritë e tyre të fituara nga aktivitetet e vetëvlerësimit. Ata shprehën gjithashtu përkushtimin dhe motivimin e tyre për këtë punë grupore, “Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe jemi të përkushtuar për të arritur standardet më të larta të shërbimeve shëndetësore. Është një përvojë e mrekullueshme të punosh në grup”, deklaruan ata.
Grupi i punës për hartimin e planit për promovimin shëndetësor kryesohet nga Prof. Merita Berisha, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ekspertiza e saj është e rëndësishme në pasqyrimin e vizionit më të gjerë të qasjes për promovimin shëndetësor nga spitalet në Kosovë.