IHS

Infermierët e Kosovës marrin pjesë në Kongresin e Urdhrit të Infermierit në Shqipëri

Infermierët e Kosovës morën pjesë javën e kaluar në Kongresin e 2-të të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë të mbajtur në Tiranë me temën e përgjithshme “Profesionistët e kujdesit shëndetësor së bashku për një shërbim sa më cilësor me standarde”. Kongresi synoi krijimin e një platformë për diskutime të gjera midis akterëve kryesorë të kujdesit shëndetësor, edukimit të vazhdueshëm dhe projekteve kërkimore shkencore drejt integrimit të tyre të plotë me standardet e BE-së. Infermierët tanë nga Kosova sollën ekspertizën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, duke shfaqur frymën e bashkëpunimit.

“I vlerësova lart temat që u shtjelluan gjatë kongresit dyditor”, thotë Valerina Bajri nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës. “Isha veçanërisht e interesuar për prezantimin që bëri kolegu nga Vlora, i cili foli për dhunën në vendin e punës, dhe një koleg tjetër nga Tirana që ndau njohuri për kujdesin infermieror për pacientët me COVID-19.”

Nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës, Vjollca Krasniqi, Arbër Pozhegu dhe Neki Myrtezai shfrytëzuan rastin për të shkëmbyer përvojat mbi rëndësinë më të madhe të arsimimit cilësor, kujdesit të standardeve të larta dhe vlerave etike. “Ishte një mundësi e shkëlqyer për ne që të merrnim pjesë në punimet e kongresit dhe të forconim bashkëpunimin nga të dyja anët e kufirit për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore. I jemi mirënjohës HIS-së që na ka mbështetur për të marrë pjesë”, thotë Vjollca Krasniqi.

SQ