IHS

Punëtori mbi menaxhimin e cilësisë për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit dhe efikasitetin e shërbimit

Në qershor, projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), organizoi një punëtori gjithëpërfshirëse për menaxhimin e cilësisë mbi standardet e ofrimit të kujdesit shëndetësor në kushte spitalore. Ky aktivitet u dizajnua posaçërisht për të inkurajuar bashkëpunimin dhe të mësuarit ndërveprues midis menaxherëve, profesionistëve shëndetësorë dhe përfaqësuesve të pacientëve për të nxitur nisma për përmirësimin e cilësisë.

Përmes një sërë sesionesh ndërvepruese dhe aktivitetesh bashkëpunuese, pjesëmarrësit u pajisën me njohuritë dhe aftësitë thelbësore për të optimizuar proceset, për të thjeshtëzuar operacionet dhe për të përmirësuar rezultatet për pacientë përmes menaxhimit efektiv të cilësisë.

Besart Gashi, nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka shprehur entuziazmin e tij për punëtorinë, duke thënë: “Është shumë inkurajuese të shohësh se ka njerëz që janë të vendosur për të përmirësuar kujdesin shëndetësor në vendin tonë”. Ai vlerësoi kontributin e çmuar të dhënë nga fasilituesit Manfred Zahorka dhe Sofi Uang dhe projekti IHS, duke vënë në dukje potencialin për të ndikuar pozitivisht në efikasitetin dhe efektivitetin e kujdesit shëndetësor, ku në mënyrë të njëjtë përfitojnë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.

Nol Bekqeli, nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ndau njohuritë e tij për punëtorinë, duke thënë: “Punëtoria ishte e fokusuar. Me metodat e përdorura, bashkë me kolegët kemi biseduar për planifikimin për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore të ofruara, gjithmonë duke u mbështetur në stafin që kemi në dispozicion”.

Punëtoria mbi menaxhimin e cilësisë trajtoi elementët kryesorë të menaxhimit të cilësisë, duke u mundësuar pjesëmarrësve të masin rezultatet dhe përfundimet cilësore, duke promovuar njëkohësisht përmirësim të vazhdueshëm. Një tjetër arritje e rëndësishme e punëtorisë ishte se pjesëmarrësit identifikuan dy probleme me të cilat po përballen aktualisht në drejtim të menaxhimit të cilësisë dhe treguan se si të fillohet me punë në projekte për përmirësimin e cilësisë që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të identifikuara.

SQ