Takimi i Grupit Punues për Hartimin e Planit të Veprimit për Promovim dhe Edukim Shëndetësor
Gjatë kësaj jave, palët e interesit u takuan për mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin e planit të veprimit për zhvillimin e promovimit dhe edukimit shëndetësor në nivel spitalor, përfshirë edhe për sëmundjet jongjitëse. Kjo është në përputhje edhe me Planin Kombëtar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor.
Grupi punues kryesohet nga Prof. Merita Berisha nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe përbëhet nga përfaqësues të spitaleve të përgjithshme dhe përfaqësues të nivelit të kujdesit parësor nga Peja dhe Gjakova, Ministria e Shëndetësisë dhe projektet “Shërbimet Shëndetësore të Integruara” dhe “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.
Aktivitetet e projektit “Shërbimet Shëndetësore të Integruara” rreth promovimit dhe edukimit shëndetësor fokusohen në promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës si dhe në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Sektorit Shëndetësor të zbatueshme në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor.