IHS

Hapa proaktivë drejt sistemit të referimit për ofrim efektiv të kujdesit shëndetësor

Një sistem referimi dhe referimi kthyes i mirëprojektuar ndërmjet kujdesit shëndetësor parësor dhe atij dytësor është thelbësor për ofrimin e duhur të kujdesit shëndetësor. Duke pasur parasysh përpjekjet e zonimit të Ministrisë së Shëndetësisë për përcaktimin e kritereve për regjistrimin e banorëve dhe përzgjedhjen e mjekut familjar në komunën ku jetojnë, këtij sistemi i shtohet rëndësia.

“Një sistem funksional referimi përfshin procesin e transferimit të pacientëve nga ofruesit e kujdesit parësor, si mjekësia familjare, tek ofruesit e specializuar të kujdesit dytësor, si specialistët apo spitalet, për hapa të mëtejshëm”, thotë Dr. Besa Balidemaj, Kryesuese e Grupit Punues për Sistemin e Referimit. “Ky sistem luan rol vendimtar për t'u siguruar që pacientët marrin shërbime të kujdesit shëndetësor të cilat janë të përshtatshme dhe ofrohen në kohë, si dhe për ta promovuar përdorimin efikas të burimeve brenda sistemit të kujdesit shëndetësor”.

Pas një qasjeje gjithëpërfshirëse për ta adresuar çështjen e sistemit të referimit (dhe referimit kthyes), Ministria e Shëndetësisë krijoi një Grup Punues me palët përkatëse të interesit për t'i rishikuar aranzhimet ekzistuese të referimit ndërmjet niveleve të ndryshme të sektorit shëndetësor dhe për të krijuar një platformë planifikimi dhe koordinimi ndërsektorial.

Në takimin e parë të mbajtur më 16 gusht 2023, grupi punues fillimisht diskutoi termat e referencës, hartoi dhe rishikoi sistemin ekzistues të referimit dhe hulumtoi rrugë të ndryshme për ta kontekstualizuar sistemin e referimit. Aktivitetet e grupit punues lehtësohen nga projekti i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.

SQ