SPITALI I PËRGJITHSHËM PEJË
Spitali i Përgjithshëm Pejë ofron shërbime shëndetësore të nivelit dytësor për popullsinë e komunave Pejë, Istog, Klinë dhe Deçan, si dhe për të tjerë që referohen në këtë spital.
Spitali i Përgjithshëm Pejë synon të ndërtojë dhe fuqizojë më tej sisteme të menaxhimit të cilësisë që i mundësojnë të funksionojë në përputhje me standardet më të larta të shërbimeve shëndetësore në vend dhe në nivel botëror. Gjithashtu, ai synon të arrijë ekselencën përmes përmirësimit të vazhdueshëm të qasjes së barabartë në shërbime të kujdesit shëndetësor, më shumë llogaridhënie, menaxhim të vazhdueshëm të cilësisë, edukim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë hapat e duhur për të arritur metoda me kosto efektive.
Spitali i Përgjithshëm Pejë ka këta reparte: gjinekologji-obstetri, neonatologji, pediatri, kirurgji, ortopedi, urologji, ORL, oftalmologji, internistikë, njësia koronare, dermato-venerologji, sëmundjet infektive, pneumo-fiziologji, neurologji, dializë, psikiatri, kirugjia emergjente, kujdesi intensiv, sallat e operimit dhe anestezi, laboratori, transfuzioni i gjakut, kabineti RO, farmaci, fiziatri dhe klinika të specializuara.
Spitali i Përgjithshëm Pejë ka kapacitet me 397 shtretër.
SPITALI I PËRGJITHSHËM GJAKOVË
Spitali i Përgjithshëm Gjakovë ofron shërbime shëndetësore të nivelit dytësor për popullsinë e komunave Gjakovë, Rahovec, Malishevë dhe Junik, si dhe për të tjerë që referohen në këtë spital.
Spitali i Përgjithshëm Gjakovë po ndërmerr hapa aktivë për të arritur qëllimin që të shndërrohet në model rajonal si qendër referimi, që nënkupton të jetë spital i cili synon të integrojë standardet e menaxhimit të cilësisë dhe qasjen shumëdisiplinore ndaj shërbimeve shëndetësore në funksionimin e vet të përditshëm. Kapacitetet njerëzore dhe profesionale si dhe teknologjia e avancuar mjekësore janë thelbësore për arritjen e këtij pikësynimi, prandaj spitali i përgjithshëm ndërmerr hapa për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e pacientëve në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane.
Spitali i Përgjithshëm Gjakovë ka këta reparte: gjinekologji-obstetri, neonatologji, pediatri, kirurgji, ortopedi, urologji, oftalmologji, ORL, anestezi, kujdesi intensiv, emergjenca, kirurgjia, mjekësia e brendshme, dermatologji, sëmundjet infektive, dializë, neurologji, psikiatri, laborator, transfuzioni i gjakut, terapia fizikale, radiologji, farmaci, patologji dhe morgu, si dhe ambulancën.
Spitali i Përgjithshëm Gjakovë ka kapacitet me 409 shtretër.