Spitalet e Kosovës e sjellin diagnostikimin e komplikimeve të diabetit më afër pacientëve
Kur Virxhina Salihu u ul për të bërë për herë të parë testin e Elektroneuromiografisë (ENMG) në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, ajo nuk e priste që do të bëhej pjesë e diçkaje më të madhe se një ekzaminim rutinor mjekësor. "Ishte ndjenjë e mirë t'i nënshtrohesha ekzaminimit pa pasur nevojë të udhëtoja jashtë qytetit", tha Salihu, e cila punon edhe në mirëmbajtjen e higjienës në spital. "Bëra një ekzaminim shumë të nevojshëm për mua, por njëkohësisht kontribuova edhe në edukimin e mëtejshëm të mjekëve për përdorimin e pajisjes". Përvoja e saj pasqyron një ndryshim që po ndodh në Kosovë në lidhje me ofrimin e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.
Neurologët e Kosovës përfundojnë trajnimin për ENMG
Deri më tani, pacientët në komuna si Gjakova dhe Peja kishin pak ose aspak qasje në diagnostikime të avancuara për neuropatitë diabetike. Për individët që jetojnë me sëmundje kronike jongjitëse (SKJ), veçanërisht diabet, kjo shpesh nënkuptonte udhëtim për më shumë se 80 kilometra deri në kryeqytet, Prishtinë, për diagnostikimin e gjendjeve që mund të përkeqësohen në heshtje me kalimin e kohës. Shumë pacientë, për arsye të ndryshme, thjesht nuk e ndërmerrnin këtë hap. Pasojat zakonisht shfaqeshin vetëm atëherë kur ishte tepër vonë për të ndërhyrë.
Duke e vërejtur këtë mungesë që kërkon veprime urgjente, Projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) filloi përpjekje të koordinuara për ta përfshirë diagnostikimin ENMG në spitalet rajonale të vendit. ENMG është metodë diagnostikuese që përdoret për të vlerësuar shëndetin e muskujve dhe nervave që i kontrollojnë ata. Tek personat me diabet, kjo teknologji ka rëndësi jetike: ajo identifikon simptomat e neuropatisë në fazë të hershme, gjurmon progresin e gjendjeve dhe udhëzon ndërhyrje në kohë përpara se ndërlikimet të çojnë në pasoja të rënda.
Si pjesë e programit, pajisjet për ENMG u blenë për spitalet e përgjithshme në Gjakovë dhe Pejë. Megjithatë, projekti nuk u kufizua vetëm në sjelljen e pajisjeve. Ai u konceptua gjithashtu për të ndërtuar më tej ekspertizën vendore përmes trajnimeve praktike për neurologët nga e gjithë Kosova.
“Ky trajnim ka bashkuar mjekë nga spitalet e përgjithshme të Kosovës për t'i rifreskuar njohuritë tona në fushën e elektromiografisë”, tha Dr. Valon Shala, një nga pjesëmarrësit. Për Dr. Adnan Biqkun, struktura e kursit ishte thelbësore: “Trajnimi është i organizuar për të na mundësuar ta përdorim saktë metodën për diagnostikimin e gjendjeve të pacientëve”. I udhëhequr nga Dr. Vera Kukaj dhe Dr. Dren Boshnjaku, trajnimi synonte t'i pajiste mjekët me njohuri teorike dhe aftësi praktike, për t'u siguruar që procedura jo vetëm të jetë teknikisht e saktë, por edhe e disponueshme rregullisht në repartet ambulatore ku pacientët mund ta përdorin atë drejtpërdrejt, pa pasur vështirësi në ndjekjen e rrugëve aktuale të referimit.
“Qëllimi është të forcohen burimet njerëzore që do ta kryejnë këtë procedurë tek pacientët”, tha Dr. Boshnjaku. Kontributi i rëndësishëm financiar i projektit për ta bërë këtë pajisje të disponueshme në të dyja lokacionet vlerësohet shumë nga institucionet. “Përveç kësaj, janë siguruar dy aparatura për ENMG dhe, si rezultat, dy rajonet e Gjakovës dhe Pejës tani do të kenë qasje në këtë shërbim në spitalet e tyre përkatëse, gjë që gjithashtu ndihmon në uljen e barrës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Për më tepër, shërbimi tani është më afër vendbanimeve të pacientëve, dhe në të njëjtën kohë, stafi mjekësor i pranishëm në spitale është në gjendje të ofrojë shërbim të kualifikuar.”
Diagnostikimet ENMG tashmë po përmirësojnë kujdesin ndaj pacientëve. Njerëzit nuk kanë më nevojë të udhëtojnë për në kryeqytet për t'iu nënshtruar këtij diagnostikimi të rëndësishëm. Për Dr. Ilire Zajmin, njëra nga pjesëmarrësit, ndryshimi është pozitiv. “Ne jemi grupi i parë i specialistëve që i nënshtrohen këtij lloj trajnimi, kështu që besoj se do të jetë me vlerë të madhe për pacientët. Deri më tani, popullsia e Gjakovës nuk ka pasur qasje në këtë lloj shërbimi. Që tani e tutje, ai do të jetë i disponueshëm në spitalin e Gjakovës”.
Trajnimi për ENMG në zhvillim e sipër për mjekët në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, Kosovë
Për pacientët me diabet, zbulimi i hershëm i ndërlikimeve është shumë i rëndësishëm për ta siguruar cilësinë e jetës. Nëse zbulohet në kohë, neuropatia mund të menaxhohet për të parandaluar pasoja të rënda si dhimbja kronike, humbja e lëvizshmërisë ose amputimi i gjymtyrëve. Nëse nuk zbulohet, ajo progreson në heshtje.
"Kjo iniciativë është në përputhje me strategjinë kombëtare të shëndetësisë", tha Dr. Edmond Komoni, drejtor në detyrë i Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. "Ajo përmirëson qasjen dhe cilësinë në të gjitha nivelet e kujdesit duke forcuar kapacitetet moderne të kujdesit shëndetësor në nivelin e spitaleve të përgjithshme."
Përfshirja e ENMG në repartet ambulatore në spitalet rajonale jo vetëm që decentralizon trajtimin, por pasqyron edhe mandatin më të gjerë të Projektit IHS për të kontribuar në një sistem më të integruar të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Duke lidhur më tej kujdesin parësor, dytësor dhe tretësor, projekti siguron që pacientët të marrin shërbime të përshtatshme dhe në kohë në çdo pikë gjatë rrugëtimit të tyre shëndetësor. Një qasje e tillë e koordinuar dhe e lokalizuar në diagnostikë është thelbësore në menaxhimin efektiv të sëmundjeve kronike.
Siç u tha nga Dr. Boshnjaku, ENMG u jep pacientëve dhe mjekëve mjetet për ta monitoruar progresin e sëmundjes me saktësi të lartë. Kjo mundëson që dëmtimi i nervave të zbulohet më herët dhe parandalon ndërlikimet që mund të jenë kërcënuese për jetën ose që mund ta ndryshojnë cilësinë e saj. Ndoshta më e rëndësishmja është se kjo u mundëson pacientëve ta menaxhojnë gjendjen e tyre në mënyrë të optimizuar për ta ruajtur cilësinë e jetës, e që ndoshta është rezultati më i vlefshëm nga të gjithë.
Rezultatet e hershme janë të mira. Gjithnjë e më shumë pacientë po përfitojnë nga shërbimi. Mjekët raportojnë vetëdijesim më të lartë në mesin e pacientëve të tyre në lidhje me rreziqet e ndërlikimeve dhe përfitimet që sjellin ekzaminimet pasuese diagnostike. Sa më shumë njerëz të përfitojnë nga ky ekzaminim tashmë i disponueshëm, aq më shumë prej tyre do të jenë në gjendje t'i identifikojnë problemet e tyre shëndetësore në fazë më të hershme dhe më të trajtueshme.
Kështu vjen përmirësimi, qetësisht, por fuqishëm dhe në mënyrë të qëndrueshme. Kur pacientët janë të vetëdijshëm për rreziqet e tyre, kur mjekët kanë dijen dhe mjetet e duhura për të reaguar, dhe kur shërbimet janë të disponueshme në të gjitha pikat e sistemit shëndetësor, kujdesi bëhet jo vetëm më i mirë, por edhe më njerëzor. Për Salihun, ndikimi ishte i menjëhershëm dhe personal. Për shumë të tjerë, fakti që shërbimet e ENMG po ofrohen në spitalet e tyre rajonale përbën një pikë kthese në mënyrën e përjetimit dhe marrjes së kujdesit shëndetësor, vetëm disa hapa larg shtëpisë.