
Takimi i parë i Grupit Punues për Hartimin e Materialeve për Ditën Botërore të Zemrës dhe Ditën Botërore të Diabetit
Më 28 gusht 2025, një grup i ri punues i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë u takua në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP) për të filluar përgatitjet për fushatat sensibilizuese të këtij viti për Ditën Botërore të Zemrës dhe Ditën Botërore të Diabetit.
Grupi përfshin ekspertë nga IKShP, Ministria e Shëndetësisë (MSh), projektet Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH). Në takimin e parë, anëtarët hartuan planin e veprimit për krijimin e materialeve promovuese dhe edukative me qëllim rritjen e vetëdijes publike për shëndetin kardiovaskular dhe parandalimin e diabetit.
Diskutimet u përqendruan në përcaktimin e temave kryesore, formateve të përmbajtjes dhe mekanizmave të koordinimit për të siguruar një ndikim sa më të madh. Këto materiale do të shërbejnë për të edukuar dhe fuqizuar komunitetet që të ndërmarrin veprime parandaluese kundër dy prej sëmundjeve kronike më të përhapura në botë.
Kjo nismë mbështetet nga IHS dhe reflekton përkushtimin e përbashkët për promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës dhe përmirësimin e rezultateve në shëndetin publik në mbarë vendin.