IHS

Tryezë e rrumbullakët “Përtej brezave, të jetosh me diabet, së bashku” në Pejë

Më 26 gusht 2025, të prekurit nga diabeti dhe profesionistët shëndetësorë nga Peja u takuan në një tryezë të rrumbullakët të stilit “biblioteka njerëzore” me titull “Përtej brezave: Të jetosh me diabet, së bashku” për të ndarë përvoja dhe për të bashkëkrijuar zgjidhje për kujdes më të mirë.

Ngjarja bëri bashkë 10 pacientë, ku pesë prej tyre ishin mbi 65 vjeç dhe pesë ishin midis moshës 18 dhe 35 vjeç, së bashku me përfaqësues të institucioneve lokale shëndetësore. Përmes rrëfimit të historive, pacientët përshkruan rrugëtimet e tyre, sfidat e përditshme dhe shpresat, duke treguar dëshmi të qëndrueshmërisë.

“Diabeti është gjuha jonë e përbashkët”, u shprehën pjesëmarrësit, ndërsa pacientët dhe profesionistët eksploruan qasjet dhe ndanë informacione për ta përmirësuar edukimin dhe qasjen në shërbime.

E ftuara speciale e ngjarjes, Lisa Mehmeti, e diagnostikuar me diabet të tipit 1 në moshë shumë të re dhe tani themeluese e organizatës avokuese Tip1Omel, theksoi nevojën për avokim të përbashkët: “Vetëm së bashku mund të sigurojmë mbështetje institucionale dhe ta thyejmë stigmën që ende e rrethon diabetin”.

Profesionistët shëndetësorë theksuan diagnostikimin e hershëm, vetëmenaxhimin nga pacientët dhe rolin e bashkëpunimit të mirë midis pacientëve dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor, ndërsa pacientët ndanë barrën emocionale, fizike dhe financiare që e bartin.

Projekti IHS theksoi se nisma është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ta forcuar dialogun midis pacientëve, kujdestarëve dhe institucioneve duke siguruar që zgjidhjet jo vetëm t'i përshtaten pacientëve, por që kjo gjë të arrihet bashkë me ta.

SQ