IHS

Riformulimi i komunikimit shëndetësor lidhur me sëmundjet kronike jongjitëse në Kosovë

Fushatat shëndetësore në Kosovë janë përqendruar për vite me radhë në rritjen e vetëdijesimit rreth sëmundjeve kronike si diabeti dhe hipertensioni. Mesazhet kanë qenë të qarta: shmangni sheqerin, reduktoni kripën, ndaloni pirjen e duhanit dhe mbani stil jetese aktiv. Por, gjatë bisedave me pacientët dhe komunitetet, vazhdimisht shfaqej një këndvështrim tjetër:

"Mund të gjejmë informata se çfarë nuk duhet të bëjmë. Ajo që nuk e dëgjojmë shpesh është se si të jetojmë më mirë".

Ky reagim, i shprehur vazhdimisht në takimet me komunitetin dhe konsultimet me shoqërinë civile, nxiti të rimendohet mënyra se si mund të bëhet komunikimi shëndetësor. Kështu, Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) në Kosovë, në bashkëpunim me institucionet vendore, lansuan një nismë të guximshme: një seri videosh të bazuar jo në paralajmërime, por në inkurajimin e pacientëve që ta menaxhojnë më mirë situatën dhe të kujdesen më mirë për mirëqenien e tyre.

E titulluar "Diabeti dhe unë: Çfarë do të bëja?”,seria me 9 video u zhvillua në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) dhe u miratua nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Në vend që të ofrojë këshilla nga larg nga ekspertët, seria i fton profesionistët shëndetësorë që të flasin nga perspektiva personale, duke imagjinuar se si do ta menaxhonin ata vetë jetën me një sëmundje kronike.

Bisedë ndryshe

Secila prej nëntë videove të shkurtra përqendrohet rreth një pyetjeje të thjeshtë: Nëse do të kishe diabet, çfarë do të bëje? Cilat shprehi të reja do t’i përvetësoje? A do ta ndaje me familjen dhe miqtë gjendjen tënde? Çfarë do të kërkoje nga ekipi mjekësor?

Përgjigjet, të dhëna në stil bisede dhe në mjedise normale pune, pasqyrojnë si ekspertizën mjekësore, ashtu edhe dhembshurinë e përjetuar. Mjekët, infermierët, edukatorët e shëndetit publik dhe specialistët e komunikimit flasin hapur për sfidat e zakonshme dhe hapat realistë që mund ta mbështesin një shëndet më të mirë.

"Ne e pyetëm veten se çfarë lloj mesazhesh i prekin vërtet njerëzit", thotë Fekrije Hasani, Eksperte e Lartë e Shëndetit, Projekti IHS. "Dhe përgjigja ishte e qartë: njerëzit reagojnë ndaj sinqeritetit, përvojës që ndahet dhe ndryshimeve të vogla e të realizueshme, jo vetëm këshillave klinike".

Formati është i drejtpërdrejtë dhe emocionalisht inteligjent. Klipet janë më pak se një minutë të gjata, të dizajnuara për t'u përshtatur me ritmet e jetës së përditshme, qoftë për t’u shpërndarë nëpërmjet mediave sociale, të shfaqen në sallat e pritjes në spitale, të shpërndahen nëpërmjet aplikacioneve të mesazheve në telefon ose të shfaqen në ngjarjet me komunitet.

Ku qëndron rëndësia e kësaj

Sëmundjet kronike jongjitëse si diabeti dhe hipertensioni janë ndër sfidat më urgjente të shëndetit publik në Kosovë. Tradicionalisht, mesazhet shëndetësore janë mbështetur fort në këshilla dhe paralajmërime klinike, të cilat shpesh ofrohen përmes fushatave nga lart poshtë.

Shkëputja midis ofrimit të informacionit, përvetësimit të mesazhit dhe veprimit kuptimplotë u bë motivimi për këtë mënyrë të re të ofrimit të informacionit të saktë nga ana mjekësore, por të bazuar në empati dhe të hartuar për të gjithë.

Nga koncepti tek kamera

Ideja për serinë e videove “Diabeti dhe unë: Çfarë do të bëja?” mori formë pas disa diskutimeve në tryeza të rrumbullakëta me pacientë, punonjës shëndetësorë dhe ekspertë të komunikimit. Diskutime të tilla çuan në shtjellim idesh se si të shpjegohej parandalimi dhe menaxhimi i SKJ-ve sikur të flisje me një mik.

Videot paraqesin profesionistë të besueshëm që flasin qartë, duke u mbështetur si në ekspertizën ashtu edhe në humanizmin e tyre. Edhe vendet e xhirimit u zgjodhën për të pasqyruar pamje nga orari i punës së profesionistëve.

Individët e paraqitur në serinë “Diabeti dhe unë: Çfarë do të bëja” nuk janë aktorë. Ata janë profesionistë të vërtetë shëndetësorë që punojnë në sistemin publik të Kosovës. Autenticiteti i tyre është çelësi.

Endokrinologët flasin qartë për rregullimet dietike, menaxhimin e insulinës dhe se si qëndrueshmëria e kujdesit është thelbësore. Instruktorët klinikë reflektojnë mbi koston emocionale të sëmundjeve kronike dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme. Specialistët e komunikimit japin informacione inkurajuese në lidhje me cilësinë e kujdesit në spitalet publike të Kosovës.

Dr. Blerina Sylka Avdija, endokrinologe në spitalin rajonal të Gjakovës, thotë se rregulli i vetëm që ajo kurrë nuk do ta thyente është të hajë shëndetshëm çdo ditë dhe të mos i anashkalojë kurrë vaktet. Ajo vazhdon ta përshkruajë dietën e shëndetshme, këshilla për t'i shmangur rëniet ose rritjet e papritura të niveleve të sheqerit në gjak, duke e përmbyllur me mesazhin e fuqishëm se ajo do të zgjidhte të kujdesej për shëndetin e saj çdo ditë.

Videot i takojnë njerëzit aty ku janë, duke e njohur rolin që luajnë kultura, dinamika familjare, stili i jetesës dhe zgjedhjet ushqimore në formësimin e sjelljes.

"Këtu nuk kemi të bëjmë me udhëzimin e njerëzve se çfarë të bëjnë", thotë Dr. Ardita Baraku, Drejtoreshë e IKSHP-së. "Këtu tregojmë se arritja e shëndetit më të mirë është e mundshme, përmes ndryshimeve të vogla. Kur profesionistët shëndetësorë ofrojnë këshilla mjekësore, duke folur me empati, ne i fuqizojmë individët të veprojnë dhe të bëjnë zgjedhje, jo nga frika, por nga mirëkuptimi, shpresa dhe besimi".

Më shumë se një fushatë

E zhvilluar në përputhje me strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për SKJ-të, fushata tregon se komunikimi shëndetësor mund të jetë gjithëpërfshirës, relevant nga aspekti kulturor dhe i bazuar në shkencën e sjelljes.

Projekti ka forcuar gjithashtu bashkëpunimin institucional dhe ka rritur kapacitetet e komunikimit. Profesionistët e shëndetit publik u trajnuan dhe punuan së bashku për të hartuar mesazhe që edhe rezonojnë dhe jo vetëm informojnë. Këto aftësi do të shtrihen përtej kohëzgjatjes së fushatës, duke formësuar iniciativat e ardhshme me të kuptuar më të thellë dhe ndikim më të madh. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e një bisede më të shëndetshme, ku të gjithë ndihen pjesë e zgjidhjes. Shëndeti i vërtetë publik nuk ndërtohet mbi direktiva, por mbi besim. Dhe besimi rritet kur institucionet dëgjojnë me vëmendje dhe flasin qartë.

"Shëndeti publik efektiv bazohet në biseda të sinqerta. Kur institucionet dëgjojnë në mënyrë aktive komunitetet dhe kur profesionistët ndajnë njohuritë e tyre me dhembshuri dhe mirëkuptim, ne ndërtojmë një sistem ku njerëzit ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të mbështetur."

Vazhdimi i bisedës

Duke u bazuar në këtë qasje, kapitulli tjetër i serisë do të përqendrohet te vetë pacientët. Individët që jetojnë me sëmundje kronike do të ftohen t'i ndajnë sfidat e tyre të përditshme, strategjitë personale të përballjes me sëmundjen dhe arritjet domethënëse në menaxhimin e sëmundjes. Si një seri e dedikuar për persona që ndodhen në të njëjtën situatë (peer-to-peer), ajo do të jetë e dizajnuar për të sjellë në pah zërat e pacientëve, duke i njohur ata jo vetëm si marrës të kujdesit, por edhe si burime të vlefshme të njohurive dhe përvojës. Ky hap tjetër synon të krijojë hapësirë ​​që pacientët të lidhen me njëri-tjetrin, të ndajnë këshilla të ndërlidhshme dhe ta mbështesin njëri-tjetrin përmes rrugëtimeve të tyre të përbashkëta.

SQ