
Gazetarët trajnohen në lidhje me angazhimin e pacientëve në raportimin për kujdesin shëndetësor
Në Kosovë u realizua me sukses trajnimi dyditor mbi rolin e mediave në raportimin për kujdesin shëndetësor, me fokus të veçantë në angazhimin e pacientëve. Organizuar nga projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), trajnimi kishte për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të gazetarëve në mbulimin mediatik të çështjeve të kujdesit shëndetësor në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive.
Trajnimi që bëri bashkë 20 gazetarë nga media të ndryshme anembanë Kosovës, ofroi një diskutim të thellë mbi sfidat dhe mundësitë në raportimin për kujdesin shëndetësor. Pjesëmarrësit eksploruan aspektet psikologjike dhe ligjore të raportimit, si dhe teknikat e avokimit dhe raportimit të ngjarjeve, që janë thelbësore për gazetari efektive shëndetësore.
Profesor Aliriza Arënliu udhëhoqi një sesion mbi faktorët psikologjikë që ndikojnë në raportimin shëndetësor dhe mënyrën se si gazetarët mund të kontribuojnë në angazhim më të fuqishëm të pacientëve në vendimmarrjen për kujdesin shëndetësor. Mark Kaqinari, Zyrtar i Lartë Ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës, ofroi njohuri mbi kornizat ligjore që rregullojnë të drejtat e pacientëve dhe politikat e kujdesit shëndetësor, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe qasjes së barabartë në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Në ditën e dytë, Alma Demiraj nga Lidhja e Gazetarëve të Shëndetit në Shqipëri prezantoi rolin e mediave në avokimin për shëndetësinë dhe se si raportimi i ngjarjeve nga gazetarët mund të ndikojë në politikat publike. Dr. Faik Hoti, Specialist i Shëndetit Publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nënvizoi nevojën për kujdes me pacientin në qendër, duke theksuar se si përfshirja aktive e pacientit përmirëson rezultatet e shëndetit publik dhe cilësinë e shërbimeve.
Trajnimi u mbyll me diskutime mbi hapat e ardhshëm, shkëmbimin e përvojave dhe rëndësinë e ndërtimit të një rrjeti të fortë për gazetarinë që merret me kujdesin shëndetësor.