IHS

Spitali i Përgjithshëm i Pejës anëtarësohet në Rrjetin e Spitaleve Promovuese të Shëndetit

Spitali i Përgjithshëm i Pejës tashmë i është bashkuar komunitetit botëror të spitaleve promovuese të shëndetit (HPH). Në një ceremoni të organizuar në Pejë më 5 mars 2024, Prof. Dr. Oliver Gröne, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit Ndërkombëtar të HPH-së i ndau certifikatën drejtorit të spitalit, Dr. Fazli Shala. Certifikata është rezultat i angazhimit intensiv të drejtuesve dhe stafit të spitalit për të përmbushur standardet e spitaleve promovuese të shëndetit.

Duke folur në ceremoni, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Naim Bardiqi, tha: “Sot, ne jemi këtu për të përgëzuar Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për arritjen e madhe në pranimin e certifikatës ndërkombëtare të Spitaleve Promovuese të Shëndetit. Duke u bërë pjesë e barabartë e rrjetit global e sjell spitalin në nivele të reja në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”.

Spitalet promovuese të shëndetit (HPH) janë institucione të kujdesit shëndetësor që kanë prioritet promovimin e shëndetit dhe mirëqenies krahas kujdesit tradicional mjekësor. Procesi i anëtarësimit të SP të Pejës në rrjetin e HPH është fasilituar përmes projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë.

“Kjo certifikatë qëndron si dëshmi e përkushtimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës për përmirësim të vazhdueshëm me pacientin në qendër”, tha Merita Mustafa nga SDC, e cila theksoi se ky angazhim vjen në kuadër të mbështetjes së SDC-së për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Takimi vazhdoi me prezantimin nga Prof. Dr. Oliver Gröne për rëndësinë e promovimit gjithëpërfshirës të shëndetit, duke eksploruar konceptin e promovimit gjithëpërfshirës të shëndetit, komponentët e tij dhe ndikimin në mirëqenien e individit dhe komunitetit.

SQ