Bashkëpunim i ri Kosovë-Zvicër që rrit integrimin e shërbimeve shëndetësore në vend
Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasada e Zvicrës bashkojnë forcat për të përmirësuar cilësinë e kujdesit për pacientët me sëmundje jongjitëse në Spitalet e Përgjithshme të Gjakovës dhe të Pejës.
Më 24 mars 2023, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Thomas Kolly nënshkruan marrëveshjen që zyrtarisht lanson këtë bashkëpunim të ri në sektorin e shëndetësisë.
Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) synon të kontribuojë në zhvillimin e sistemit të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë që ofron kujdes cilësor, të përballueshëm dhe të integruar në nivelin dytësor për pacientët me sëmundje jongjitëse.
Gjatë ceremonisë së lansimit, Ministria Vitia tha, “Përmes projektit ‘Shërbimet Shëndetësore të Integruara’ (IHS) si nisma më e re mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, synohet zhvillimi i mëtutjeshëm i zhvillimit të kapaciteteve shëndetësore që do të koncentrohet tek Sëmundjet Jo-Ngjitëse që përbëjnë një problem mbarëbotëror”.
Projekti IHS është një tjetër arritje në bashkëpunimin e zgjeruar në sektorin shëndetësor ndërmjet dy vendeve. Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Thomas Kolly nënvizoi përkushtimin për të kontribuar në fuqizimin e sistemit, që siguron qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për popullsinë, sidomos për grupet më të cënueshme.
Projekti IHS fokusohet në përmirësimin e disponueshmërisë, cilësisë dhe vazhdimësisë së kujdesit për pacientët me sëmundje jongjitëse (SJN) duke fuqizuar proceset e ndërlidhura klinike, menaxheriale dhe qeverisëse në Spitalet e Përgjithshme (SP) të Gjakovës dhe të Pejës. IHS fuqizon koordinimin dhe referimin ndërmjet niveleve parësore dhe dytësore të kujdesit dhe në nivel vendor, mbështet palët e interesit për të zhvilluar dhe implementuar kornizën e politikave që fuqizon kujdesin e integruar me pacientin në qendër.
I financuar nga Zvicra me CHF 5.5 milionë për periudhën 2023-2026, projekti do të implementohet nga institucionet vendore dhe rajonale me mbështetjen e Swiss Tropical and Public Health Institute.