IHS

Pjesëtarë të komuniteteve në Pejë diskutojnë rreth shqetësimeve nga diabeti

Më 26 shtator 2024, një grup divers i përbërë nga përfaqësues të komunitetit, profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe zyrtarë publikë nga Peja, u mblodh për një tryezë të rrumbullakët. Tryeza u fokusua në adresimin e sfidave unike me të cilat ballafaqohen komunitetet e nënpërfaqësuara për t’u qasur në kujdesin shëndetësor në lidhje me sëmundjet kronike jongjitëse (SJN). Ngjarja, e organizuar nga projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) në bashkëpunim me Shoqatën e Pacientëve Diabetikë të Pejës (ASD), theksoi rëndësinë e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe kujdesin e përshtatur për të gjithë.

Dr. Besnik Ibraj, Spitali i Përgjithshëm i Pejës, tha se spitali “e pranon se pjesëtarët e komuniteteve të nënpërfaqësuara përballen me barriera specifike që mund të pengojnë qasjen në kujdesin e nevojshëm dhe të ndikojnë në rezultatet shëndetësore. Forcimi i bashkëpunimit me këto komunitete është thelbësor për të siguruar që informacioni dhe edukimi shëndetësor të arrijnë tek çdo qytetar në Pejë”. 

“Misioni ynë është të punojmë me të gjithë aktorët e kujdesit shëndetësor, nga ofruesit deri te çdo pacient, për të mbështetur institucionet vendore në forcimin e një sistemi ku çdo individ ka qasje në kujdes shëndetësor cilësor”, tha Dr. Ilir Mecini, Zëvendësdrejtues i Ekipit, Projekti IHS. 

Idriz Ethemi, themelues i Shoqatës së Pacientëve Diabetikë të Pejës (ASD) nxiti një diskutim të hapur mes pacientëve dhe pjesëmarrësve të tjerë. 

Pjesëmarrësit e tryezës diskutuan mbi barrierat dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet gjatë qasjes në shërbimet thelbësore të kujdesit shëndetësor dhe sugjeruan rekomandime për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe barazinë në kujdesin ndaj SJN-ve. Këto rekomandime do të shkëmbehen me organizata të tjera të shoqërisë civile, institucionet publike dhe mediat për të nxitur vetëdijësimin dhe mbështetjen më të gjerë për këto çështje thelbësore.

SQ