
Palët e interesit në shëndetësi koordinojnë kujdesin e mëtejshëm për pacientët me diabet dhe ata me hipertension
Më 11 shtator 2025, përfaqësuesit kryesorë të sektorit të shëndetësisë u takuan në Prishtinë për ta thelluar bashkëpunimin midis ofruesve të kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor, me fokus të përbashkët në përmirësimin e kujdesit për pacientët që jetojnë me diabet dhe hipertension.
Takimi, i organizuar nga projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), mblodhi së bashku zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, spitalet rajonale, niveli i kujdesit parësor dhe organizatat e shoqërisë civile, për të eksploruar qasje më të përqendruara te pacienti për menaxhimin e sëmundjeve kronike.
"Kujdesi në spitale nuk është vetëm i kushtueshëm, por shpesh nuk është i përshtatur për nevojat e pacientit, veçanërisht kur mjediset mbështetëse në shtëpi dhe komunitet mund të sjellin ndryshim të madh", tha Dr. Jana Gerold, nga Swiss TPH. "Ndërsa shqyrtojmë mënyra për të ecur përpara, duhet të sigurohemi që askush të mos lihet pas dore. Pamja e përgjithshme ka të bëjë gjithmonë me shërbimin e ofruar popullatave që kanë më së shumti nevojë."
Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e koordinimit midis niveleve të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e protokolleve të ndarjes së informacionit për të ofruar kujdes më efikas dhe efektiv.
"Shkëmbimi i informacionit dhe reagimeve ndikon drejtpërdrejt në qasjen në kujdes cilësor dhe ndihmon në uljen e mbingarkesës", tha Z. Niman Bardhi, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. “Duke ndarë përvoja në takime si ky, ne mund të identifikojmë mundësi realiste dhe të qëndrueshme për ofrimin e shërbimeve të përqendruara te pacienti, pasi qytetari mbetet në qendër të të gjitha përpjekjeve.”
Pjesëmarrësit shqyrtuan gjithashtu progresin në Planin e Veprimit për menaxhimin e hipertensionit dhe diabetit në komunat e Pejës dhe Gjakovës. Plani i përditësuar, i cili tani pret miratimin zyrtar të fazës së tij të dytë, përshkruan hapat për t'i zgjeruar iniciativat e vetëmenaxhimit dhe qendrat pilot të kujdesit, me një vizion afatgjatë për shkallëzimin e praktikave të suksesshme në të gjitha spitalet rajonale të Kosovës.