IHS

Trajnimi i trajnerëve (TiT) për auditin klinik vazhdon me grupin tjetër

Në ditën e tretë të programit pesë-ditor të Trajnimit të trajnerëve (TiT) mbi auditimin klinik, pjesëmarrësit u përqendruan tek teoria, standardet dhe proceset që përmirësojnë cilësinë e sistemit shëndetësor. 

Duke folur në cilësinë e tij si Zëvendësministër i Shëndetësisë, por edhe si specialist i mjekësisë familjare, Dr. Arsim Berisha shprehu kënaqësinë e tij me këtë program: “Është kënaqësi të marr pjesë në këtë trajnim të organizuar nga projekti IHS. Ky trajnim është dëshmi e bashkëpunimit strategjik ndërmjet qeverive të Zvicrës dhe Kosovës, duke siguruar që sektori i shëndetësisë në Kosovë të jetë në hap me zhvillimet në shërbimet shëndetësore në Evropë dhe botën moderne”.

Dr. Berisha theksoi përvojën e mirë të Kosovës në kujdesin parësor lidhur me auditimin klinik, që është fokusi kryesor i këtij TiT. Ai rikonfirmoi përkushtimin e tij për t’i zbatuar këto praktika në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, përfshirë atë sekondar dhe terciar. 

Pjesëmarrësit në këtë trajnim po pajisen me njohuritë dhe aftësitë për t'u bërë trajnerët e ardhshëm brenda sistemit shëndetësor të Kosovës. Ata do të kenë rol kyç në udhëzimin dhe mbështetjen e kolegëve të tyre për të zbatuar auditimet klinike në mënyrë efektive, për të përmirësuar sigurinë dhe cilësinë e kujdesit për pacientët.

Trajnimi është aktivitet i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Projektit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (IHS).

SQ