
Kosova prezantohet në Simpoziumin për Kujdesin e Integruar në Zvicër
Prishtinë, 3 shtator 2025 – Kosova ishte pjesë e diskutimeve në nivel ndërkombëtar mbi sfidat e sëmundjeve kronike dhe mënyrat e reja të organizimit të kujdesit shëndetësor. Këto diskutime ishin pjesë e Simpoziumit “Integrated People-Centred Care” (Kujdesi i Integruar me në Fokus Personin), mbajtur më 2 shtator në Basel të Zvicrës.
Simpoziumi, i organizuar nga Instituti Zviceran për Sëmundje Tropikale dhe Shëndet Publik (Swiss TPH), mblodhi ekspertë zviceranë dhe ndërkombëtarë nga sferat e hulumtimit, shëndetësisë, sektorëve publik e privat, si dhe përfaqësues të pacientëve, për të nxitur dialogun dhe për të harmonizuar përpjekjet ndër-sektoriale, ndërdisiplinore dhe ndërkufitare. Ata ndanë praktikat më të mira në trajtimin e sëmundjeve kronike në vende të ndryshme të botës. Nga Kosova, prezantimet u bënë nga ekipet e dy projekteve që implementon kët Swiss TPH, projekte të cilat janë nisma të përbashkëta mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.
Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) prezantoi zhvillimin e një vegle digjitale për vetëmenaxhimin e diabetit nga pacientët, ndërsa projekti Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) prezantoi gjetjet e një studimi që monitoron sëmundje si diabeti dhe hipertensioni, me synim forcimin e parandalimit dhe përmirësimin e kujdesit.
“Kujdesi i integruar me në fokus personin synon të ofrojë qasje më gjithëpërfshirëse, të përshtatur sipas nevojave për të ndërtuar ura mes aktorëve të ndryshëm në sistem,” tha Jana Gerold, udhëheqëse projekti në Swiss TPH dhe anëtare e komitetit organizues të simpoziumit.
Një moment i veçantë i ngjarjes ishte hapja e ekspozitës “Objekte të përditshmërisë: Jeta me sëmundje kronike”, e cila solli rrëfime personale të pacientëve dhe familjeve nga Kosova, Moldavia, Zvicra dhe Ukraina. Përmes objekteve të zakonshme, si një laps, një aparat matës i sheqerit në gjak apo një fotografi familjare, ekspozita hodhi dritë mbi përvojat shpesh të padukshme të jetës me sëmundje kronike. Ekspozita virtuale mund të shfletohet këtu: https://www.instagram.com/chroniccareobjects/