Organizatat e Shoqërisë Civile nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të forcuar avokimin e pacientëve
Më 22 tetor 2024, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës (PRAK) nënshkroi Memorandume Bashkëpunimi (MB) me nëntë organizata pacientësh nga Kosova, për të avancuar avokimin për pacientët. Qëllimi i këtyre MB-ve është përmirësimi i bashkëpunimit midis këtyre organizatave dhe sigurimi që zëri i pacientëve të luajë një rol më ndikues në formësimin e politikave shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë Kosovën.
Agron Bytyqi, Drejtori Ekzekutiv i PRAK, tha se këto marrëveshje janë një "hap i madh përpara" në avancimin e të drejtave të pacientëve dhe përmirësimin e rezultateve në kujdesin shëndetësor. "Këto MB janë hap përpara të jemi të përditësuar për nevojat në ndryshim të pacientëve në të gjithë Kosovën. Duke bashkuar përpjekjet tona, ne bëhemi një zë më i organizuar dhe më i fuqishëm, i aftë për të ndikuar në politikat shëndetësore dhe për të nxitur përmirësime të prekshme për pacientët," theksoi Bytyqi. "Ky bashkëpunim forcon kapacitetin tonë për të avokuar për kujdes me pacientin në qendër dhe për standarde më të larta në kujdesin shëndetësor".
Dr. Lia Tavadze, Udhëheqëse e Projektit për Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), gjithashtu theksoi se përfshirja e pacientëve në procesin e kujdesit shëndetësor është thelbësore për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë. "Ngjarja e sotme është një reflektim i përkushtimit tonë të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe sigurimin që angazhimi i tyre të kontribuojë në pjesëmarrjen e tyre të përshtatshme në vendimmarrjen shëndetësore".
Partneritetet e reja synojnë të forcojnë avokimin për pacientët duke lidhur forume të ndryshme të organizatave të pacientëve dhe, si rrjedhojë, të përfshijnë më ngushtë në diskutimet e politikave shëndetësore grupet e ndryshme tematike dhe pacientët që ato përfaqësojnë, duke amplifikuar zërin e pacientëve.