IHS

Një hap i ri madhor në kujdesin ndaj diabetit me udhërrëfyes të rinj klinikë

Më 10 tetor 2024, një punëtori me profesionistë të kujdesit shëndetësor në Kosovë u fokusua në Udhërrëfyesit dhe Protokollet e reja Klinike (UPK) të përshtatura për menaxhimin e diabetit mellitus. Kjo nismë, e udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, e mbështetur nga projekti IHS, synon ta standardizojë kujdesin duke u siguruar ofruesve të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet mjete thelbësore për trajtimin efektiv dhe konsistent të diabetit.

Dr. Merita Emini Sadiku, një nga profesionistet kryesore të nismës, theksoi rëndësinë e kësaj përpjekjeje bashkëpunuese, duke theksuar: "Hartimi i udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike për diabetin ka qenë një përpjekje e përbashkët. Qëllimi ynë ka qenë që t'i përafrojmë praktikat tona me standardet ndërkombëtare, duke i pajisur ofruesit e kujdesit shëndetësor në Kosovë me mjetet për të ofruar kujdesin më efektiv. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të rezultateve shëndetësore afatgjata për personat me diabet".

Punëtoria theksoi rolin vendimtar të menaxherëve të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet - parësor, dytësor dhe tretësor - në zbatimin e Udhërrëfyesve dhe Protokolleve të reja Klinike (UPK) për kujdesin ndaj diabetit, duke siguruar që këto protokolle të kuptohen mirë dhe të zbatohen në mënyrë efektive nëpër institucione. Auditorët e brendshëm dhe koordinatorët e cilësisë luajnë rol kyç duke kryer vlerësime të rregullta për ta siguruar pajtueshmërinë, për t'i identifikuar fushat për përmirësim dhe për të mbajtur standarde të qëndrueshme në të gjitha institucionet. Për më tepër, punëtoria theksoi rëndësinë e trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve përmes sesioneve të strukturuara dhe edukimit të vazhdueshëm për t'i mbajtur të përditësuar ofruesit e kujdesit shëndetësor mbi praktikat më të mira në menaxhimin e diabetit.

Niman Bardhi nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha: “Punëtoria e sotme mbi udhërrëfyesit klinikë për diabetin shënon një hap vendimtar në përkushtimin tonë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Duke standardizuar qasjen tonë ndaj kujdesit ndaj diabetit, ne sigurojmë që të gjithë pacientët të marrin trajtim të qëndrueshëm dhe cilësor, duke reflektuar përkushtimin tonë për rezultate më të mira shëndetësore dhe mbështetje të vazhdueshme për profesionistët e kujdesit shëndetësor në mbarë vendin.”

SQ