IHS

Rrjeti i Spitaleve Promovuese të Shëndetit: përvoja e delegacionit nga Kosova

Koncepti i Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH) i jep përparësi mirëqenies së pacientit përmes edukimit, parandalimit, kujdesit shëndetësor të integruar, praktikave të bazuara në dëshmi dhe angazhimit të komunitetit. Ai sjell ndryshim të qëndrueshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor duke fuqizuar pacientët që të vetëmenaxhojnë shëndetin e tyre.

Duke hedhur një hap drejt adoptimit të standardeve të Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH), një grup udhëheqësish të sektorit shëndetësor nga Kosova morën pjesë kohëve të fundit në një vizitë studimore në Hungari. Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe spitalet e përgjithshme dhe qendrat e kujdesit shëndetësor parësor të Pejës dhe Gjakovës vizituan Spitalin e Fëmijëve Bethesda, anëtar prej shumë kohësh i Rrjetit HPH. Delegacioni u kthye në Kosovë i frymëzuar dhe me vizion të qartë për të zbatuar qasje/standarde të ngjashme siç vëzhguan në Hungari.

Sëmundjet kronike jongjitëse, si diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet e zemrës, po përhapen gjithnjë e më shumë në Kosovë, duke theksuar kështu nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe parandaluese ndaj kujdesit shëndetësor. Rrjeti Ndërkombëtar i Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH) synon të përfshijë vlerat dhe standardet e promovimit të shëndetit në kulturën e spitaleve dhe shërbimeve shëndetësore, duke rritur marrëdhëniet me komunitetin. 

“Në spitalet që ndjekin këtë model, fokusi është si në fuqizimin e pacientëve për të menaxhuar dhe parandaluar sëmundjet, ashtu edhe në adresimin e nevojave akute mjekësore”, shpjegoi Dr. Ardita Baraku, Drejtore e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) të Kosovës, anëtare e delegacionit, në një podcast me projektin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (IHS).

Që nga marsi i vitit 2024, Spitalet e Përgjithshme në Pejë dhe Gjakovë i janë bashkuar rrjetit ndërkombëtar të HPH, duke hedhur bazat për adoptimin më të gjerë të këtyre praktikave transformuese në mbarë Kosovën.

Mësimet e nxjerra nga praktikat më të mira të Hungarisë

Gjatë vizitës, nikoqirët Dr. György János Velkey, Drejtor i Përgjithshëm i Spitalit të Fëmijëve Bethesda dhe Dr. Zsuzsa Rákosy-Vokó, Udhëheqësja e Promovimit të Shëndetit, ndanë njohuri me delegacionin e Kosovës rreth praktikave të Hungarisë me HPH-në, përfshirë strategjitë praktike për zbatimin e nismave të ngjashme në vendin tonë.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një kulturë ku kujdesi shëndetësor nuk trajton vetëm sëmundjet, por promovon mirëqenien në të gjitha moshat,” tha Dr. Fazli Shala, Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës. “Është privilegj të mësosh nga kolegët tanë hungarezë dhe të kontribuosh në ndërtimin e komuniteteve më të shëndetshme në Kosovë”. 

Udhëheqësit e shëndetësisë në Kosovë vëzhguan përdorime inovative të teknologjisë dhe qasjen e Hungarisë ndaj kujdesit shëndetësor të qasshëm dhe parandalues, veçanërisht në komunitetet e margjinalizuara. “Ishte frymëzuese të shihje përdorimin e autobusëve të lëvizshëm shëndetësorë që udhëtojnë në zonat rurale për të ofruar shërbime shëndetësore thelbësore si kontrolli i glukozës në gjak dhe tensionit të gjakut, këshilla për të ushqyerit dhe edukimi i përgjithshëm shëndetësor,” tha Dr. Shaban Osmanaj, Udhëheqës i Divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës. 

“Ky lloj kujdesi i qasshëm dhe parandalues mund të ketë ndikim të rëndësishëm në Kosovë, veçanërisht në zonat e thella ku burimet shëndetësore janë të kufizuara,” shtoi Dr. Arben Koshi, Udhëheqës i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Qasja HPH po ashtu thekson mirëqenien e vetë ofruesve të kujdesit shëndetësor. Të frymëzuar nga kjo, udhëheqësit e shëndetësisë në Kosovë synojnë jo vetëm të transformojnë praktikat e kujdesit ndaj pacientëve, por edhe të krijojnë mjedise mbështetëse për stafin e spitalit. Në fund të fundit, modeli i Spitaleve Promovuese të Shëndetit ka të bëjë më shumë sesa thjesht trajtimin e sëmundjeve; është një mënyrë e re e të menduarit për shëndetin dhe mirëqenien si një përgjegjësi e përbashkët. 

Ndërtimi i një të ardhmeje promovuese të shëndetit për Kosovën

Vizita studimore në Hungari shënoi fillimin e përkushtimit afatgjatë të Kosovës për transformimin e sistemit të vet të kujdesit shëndetësor në atë që i jep prioritet edukimit shëndetësor dhe kujdesit parandalues. Suksesi do të varet nga një adoptim gradual, por i qëndrueshëm i strategjive të HPH, duke filluar me spitalet në Pejë dhe Gjakovë dhe përfundimisht duke u zgjeruar në mbarë vendin. Ndërsa Kosova fillon zbatimin e këtyre ndryshimeve, pacientët, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe komunitetet po ashtu do të përfitojnë.

“Transformimi i shëndetësisë së Kosovës do të jetë një udhëtim”, reflektoi Dr. Ardita Baraku, IKSHP, “dhe ne po fillojmë me një themel të fortë të njohurive dhe frymëzimit nga Hungaria. Ky partneritet na ka treguar se çfarë është e mundur”.

Vizita studimore u mbështet nga projekti i Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS), një nismë e përbashkët ndërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, që zbatohet nga Instituti Zviceran për Shëndetin Publik dhe Tropikal. 

SQ