Kosova për herë të parë në Kongresin Botëror të Spitaleve në Zvicër
Më 10 – 13 nëntor 2025, një delegacion i institucioneve të sektorit shëndetësor të Kosovës mori pjesë në Kongresin e 48-të Botëror të Spitaleve, që u mbajt në Gjenevë, Zvicër. Ky kongres ishte tubim global i drejtuesve të spitaleve dhe sistemeve shëndetësore, që këtë vit u zhvillua nën temën “Mësim global, veprim lokal për çdo pacient”. Ai mblodhi mbi 1,500 pjesëmarrës nga më shumë se 80 shtete, përfshirë politikbërës të lartë, drejtorë spitalesh, klinicistë dhe inovatorë që po formësojnë të ardhmen e shëndetësisë.
Delegacioni i Kosovës u kryesua nga z. Jahë Gecaj, U.d. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili e përshkroi pjesëmarrjen e Kosovës për herë të parë në këtë kongres si një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në shëndetësi dhe përpjekjeve për përparim.
“Pjesëmarrja jonë në këtë forum ndërkombëtar tregon përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për t’u rrjetëzuar me vendet e tjera, duke mësuar nga përvojat më të mira dhe trendet globale për një kujdes shëndetësor më cilësor,” tha z. Gecaj. “Përvojat që kemi fituar do të na shërbejnë për të integruar në reformat tona shëndetësore ato aspekte që mundësojnë kujdes të sigurt dhe me cilësi për pacientët tanë.”
Kjo është hera e parë që autoritetet shëndetësore të Kosovës përfaqësohen në një forum global që mbledh liderë të sektorit shëndetësor dhe spitalor nga mbarë bota. Kongresi ofroi diskutime vizionare mbi udhëheqjen spitalore, transformimin digjital, qëndrueshmërinë në shëndetësi, kujdesin e bazuar në pacientin dhe modelet që përmirësojnë sigurinë dhe cilësinë.
Delegacioni mori gjithashtu pjesë në një vizitë studimore në Spitalin Universitar të Lozanës – Spitalin e Fëmijëve, një institucion pararojë zviceran i njohur për kujdes pediatrik të avancuar, ku ata patën mundësi të shohin nga afër modelet e kujdesit të integruar, ndër më të avancuarat në Evropë.
Delegacioni i Kosovës përfshinte zyrtarë të lartë nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Spitali i Përgjithshëm i Pejës dhe Kirurgjia Pediatrike në QKUK.
Vizita u organizua përmes projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), që më herët gjatë këtij viti mundësoi anëtarësimin e Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Spitaleve. Kjo thekson angazhimin e vendit për të mësuar globalisht, për të bashkëpunuar me vetëbesim dhe për të sjellë ide të reja për një shëndetësi më të mirë.