
Delegacioni i Kosovës në Konferencën e Lisbonës thekson arritjet në fushën e kujdesit të integruar
Një delegacion multidisiplinor i profesionistëve të kujdesit shëndetësor nga Kosova mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Kujdesin e Integruar (ICIC25), të mbajtur më 14-16 maj 2025 në Lisbonë, Portugali. Ekipi iu bashkua liderëve dhe ekspertëve globalë të shëndetësisë për të shkëmbyer njohuri, për të ndarë përvoja dhe për të prezantuar përparimet e Kosovës në kujdesin e integruar.
”Pati hapësirë të mjaftueshme për debat dhe diskutime për të kuptuar më mirë sfidat dhe mundësitë që lidhen me kujdesin e integruar. Ishte gjithashtu shumë e rëndësishme që konferenca pati një audiencë të përzier, duke përfshirë vendimmarrës, menaxherë, mjekë dhe analistë. Patëm mundësinë të ndanim ide dhe praktika të ndryshme, të cilat janë shumë të rëndësishme për zbatim në vendin ku punoj”, tha Dr. Rexhë Panxhaj, një nga pjestarët e delegacionit.
Si përfaqësues të institucioneve nga e gjithë Kosova, si dhe projektet e Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdesit Shëndetësor të Qasshëm dhe Cilësor (AQH), delegacioni kontribuoi në dialogun ndërkombëtar mbi ofrimin e kujdesit shëndetësor të koordinuar dhe të përqendruar tek njerëzit.
Dy aspekte qendrore të pjesëmarrjes së delegacionit ishin prezantimi nga AQH mbi kujdesin e integruar në Kosovë, i cili u përqendrua në përvojat e pilotimit nga komunat e Fushë-Kosovës dhe Lipjanit, dhe një prezantim i Projektit IHS për të ndarë sfidat dhe mësimet e nxjerra deri më tani në rrugëtimin drejt një koordinimi dhe integrimi më të mirë të kujdesit midis niveleve të kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar për të përmirësuar menaxhimin dhe vazhdimësinë e kujdesit.
Njohuritë e fituara dhe marrëdhëniet e krijuara do të shërbejnë si bazë e vlefshme për të vazhduar me menaxhimin e sëmundjeve jo-ngjitëse në mbarë vendin.