IHS

Profesionistë të kujdesit shëndetësor nga Kosova në Forumin në Utrecht

Një delegacion profesionistësh të kujdesit shëndetësor nga Kosova iu bashkua mbi 5,000 pjesëmarrësve nga më shumë se 70 vende në Forumin Ndërkombëtar për Cilësi dhe Siguri në Kujdesin Shëndetësor, të mbajtur më datat 21-23 maj 2025, në Utrecht të Holandës.

Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të spitaleve, qendrave të kujdesit parësor dhe Ministria e Shëndetësisë, u angazhua në mënyrë aktive në punëtori, sesione me raste studimore dhe përvoja mësimore bashkëpunuese të përqendruara në përmirësimin e rezultateve të pacientëve dhe nxitjen e inovacionit.

Në ditën e hapjes, ekipi mori pjesë në një Ditë Përvoje gjithëpërfshirëse në Spitalin Albert Schweitzer, ku sesionet trajtuan lidershipin në infermieri, mirëqenien e stafit dhe strategjitë për krijimin e mjediseve më të sigurta të kujdesit. Ditët pasuese të Forumit përfshinë prezantime kyçe dhe kurse për zhvillimin e aftësive të dizajnuara për t'i ndihmuar sistemet e kujdesit shëndetësor të evoluojnë në përgjigje ndaj sfidave aktuale.

"Përvojat e menaxhimit të cilësisë të bazuara në prova promovojnë bashkëpunimin ndërsektorial dhe zgjidhje konkrete që përmirësojnë cilësinë, sigurinë, barazinë dhe efikasitetin e kujdesit shëndetësor", tha Dr. Hajrullah Fejza, Udhëheqës i Divizionit për Cilësinë, Sigurinë dhe Akreditimin e Institucioneve të Kujdesit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës.

Njohuritë dhe strategjitë e fituara gjatë Forumit do të ndahen me kolegë dhe institucione në të gjithë Kosovën, duke kontribuar në përpjekjet e vazhdueshme kombëtare për ta përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për ta rritur sigurinë e pacientëve.

Pjesëmarrja në Forum u bë e mundur nëpërmjet mbështetjes nga projektet Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH). Forumi, si një ngjarje kryesore globale e bashkëorganizuar nga Instituti për Përmirësimin e Kujdesit Shëndetësor (IHI) dhe BMJ, iu kushtua avancimit të cilësisë, sigurisë dhe transformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

SQ