IHS

Dy spitale të Kosovës u anëtarësuan në Rrjetin Ndërkombëtar

Në mars të vitit 2024, Spitali i Përgjithshëm i Pejës dhe ai i Gjakovës, dy rajone të mëdha në Kosovë, u bënë anëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Spitaleve Promovuese të Shëndetit. Certifikatat që iu ndanë drejtorëve të spitaleve, vlerësuan përkushtimin e përbashkët institucional për të adoptuar një qasje me pacientin në qendër, në mesin e standardeve të tjera të përmbushura. Anëtarësimi në këtë rrjet ofron edhe qasje në databazën e njohurive ndërkombëtare dhe mundësi shkëmbimi. Ky zhvillim nënkupton një ndryshim të madh në peizazhin e kujdesit shëndetësor në vend

Qasja e Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH), e konceptuar për ta riformësuar peizazhin e kujdesit shëndetësor të Kosovës, i jep përparësi mirëqenies së pacientëve përmes edukimit, parandalimit, kujdesit shëndetësor të integruar, praktikave të bazuara në dëshmi dhe angazhimit të komunitetit. Ajo sjell ndryshim të qëndrueshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor duke fuqizuar pacientët që ta vetëmenaxhojnë shëndetin e tyre. 

Në muajin mars 2024, dy spitalet e përgjithshme në Kosovë, ai i Pejës dhe i Gjakovës, morën certifikatat e anëtarësimit nga Rrjeti Ndërkombëtar i Spitaleve Promovuese të Shëndetit dhe Shërbimeve Shëndetësore. Përveç fillimit të bashkëpunimit me institucionet shëndetësore në mbarë botën dhe ngritjes së nivelit të ofrimit të shërbimeve, certifikatat tregojnë se disa procese dhe standarde janë ndjekur dhe përmbushur.    

Procesi rigoroz i vetëvlerësimit dhe vendosjes së standardeve, që bëri që spitalet e përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës të fitojnë anëtarësim në rrjetin e HPH, filloi në korrik të vitit 2023 me themelimin e një Grupi Punues të bashkëkryesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës. Grupi Punues ka zhvilluar një program spitalor bazuar në Standardet e Spitaleve për Promovim të Shëndetit 2020, në përputhje të plotë me Planin Kombëtar të Veprimit të Kosovës për Edukimin Shëndetësor dhe Promovimin Shëndetësor dhe nevojat specifike të vendit

Në qendër të kësaj pune ishin vlerësimet bazë në secilin spital për t'i identifikuar fushat dhe prioritetet kryesore që do të shërbejnë si bazë për strategjitë për ta integruar edukimin shëndetësor në praktikën dhe rrjedhën e punës së kujdesit, për të zhvilluar programe të trajnimit për stafin spitalor dhe për të krijuar mekanizma monitorues dhe vlerësues. 

Duke qenë se sëmundjet kronike jongjitëse kërkojnë kontribut dhe angazhim të pacientit – që nuk është më pak e rëndësishme se protokollet mjekësore për trajtimin e tyre – kjo qasje rrit efikasitetin e çdo protokolli mjekësor që zbatohet. Prandaj, qasja e HPH-së po hap rrugën drejt një mendësie të re në ofrimin e kujdesit shëndetësor. 

Gjatë fjalimit në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, Dr. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, e konsideroi anëtarësimin në rrjetin ndërkombëtar të HPH-së si një piketë të rëndësishme.

“Kjo arritje është dëshmi e përpjekjeve dhe përkushtimit të menaxhmentit dhe stafit të spitalit me fokus pacientët, duke e çuar spitalin në nivele të reja në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Dr. Bardiqi.

Dr. Bardiqi theksoi ndikimin transformues të rrugëtimit drejt HPH-së dhe dimensioneve të tij të ndryshme, si projektet e përmirësimit të cilësisë të identifikuara për të dy spitalet, forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve të punonjësve shëndetësorë, përfshirja e tyre aktive në hartimin dhe zbatimin e planeve të veprimit dhe edukimit shëndetësor, dhe iniciativa të tjera për digjitalizimin e të dhënave të pacientëve, rregullimin e fluksit të pacientëve dhe anketat e pacientëve.

“Ministria e Shëndetësisë zotohet se do t'i mbështesë vazhdimisht nismat e reja dhe inovative që i hapin rrugën zhvillimit dhe zbatimit të programeve të vetëkujdesit për pacientët me hipertension dhe diabet. Duke i fuqizuar pacientët që ta marrin shëndetin dhe mirëqenien e tyre nën kontroll, ne jo vetëm që po e përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre, por edhe po e pakësojmë barrën në sistemin tonë shëndetësor”, tha Dr. Bardiqi në ceremoni.

Përfundimisht, anëtarësimi i Spitaleve të Përgjithshme të Pejës dhe Gjakovës në Rrjetin Ndërkombëtar të Spitaleve Promovuese të Shëndetit shënon një hap të rëndësishëm drejt frymëzimit të një të ardhmeje më të shëndetshme për të gjithë në Kosovë.

Mundësuar përmes projektit të Shërbimeve Shëndetësore të Integruara në bashkëpunim me OptiMedis AG dhe ekspertët e tyre, qasja e HPH-së bazohet në objektivat strategjike të Ministrisë me fokus të veçantë në sëmundjet kronike jongjitëse, veçanërisht diabetin dhe hipertensionin.

Projekti i IHS-së është një nismë e përbashkët 4-vjeçare ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e fasilituar nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale. Swiss Tropical and Public Health Institute.

SQ