IHS

Avancimi i shtigjeve klinike dhe të pacientëve për një kujdes më të mirë ndaj SJN-ve në Kosovë

Në Kosovë, rrugëtimi i një pacienti me diabet në sistemin shëndetësor fillon me mjekun familjar. Sipas modelit të mjekësisë familjare, të cilin Kosova e ka miratuar zyrtarisht, mjekët e nivelit të kujdesit parësor janë përgjegjës për të koordinuar gjendjen e përgjithshme dhe trajtimin e pacientit, dhe, kur është e nevojshme, për t'i referuar ata në kujdes specialistik. Modeli i mjekësisë familjare ka për synim t’i udhëzojë pacientët dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor që të kenë pasqyrë gjithëpërfshirëse të historisë mjekësore të pacientëve dhe të nevojave të tyre të vazhdueshme.

Megjithatë, në praktikë, sistemi ndonjëherë fragmentohet. Shërbimet ekzistojnë, por koordinimi mes tyre është ende duke u zhvilluar. Shumë pacientë i anashkalojnë qendrat e mjekësisë familjare, që janë si pikat e para të kontaktit, për të kërkuar kujdes të specializuar, duke naviguar vetë nëpër sistemin shëndetësor, gjë që ndonjëherë çon në humbje të mundësive për vazhdimësinë e kujdesit dhe menaxhimin afatgjatë të sëmundjes. 

Kështu, ndërtimi i një shtegu koherent të pacientit, sidomos për ata që jetojnë me sëmundje kronike siç është diabeti, ku sistemi e udhëheq pacientin dhe jo anasjelltas, është thelbësor për përmirësimin e rezultateve dhe zvogëlimin e komplikimeve. Vetëm udhëzimet e qarta dhe të thjeshta sigurojnë që pacientët të marrin vazhdimisht kujdesin e duhur në kohën e duhur, duke e bërë të sigurt rrugëtimin e tyre nëpër objektet e kujdesit shëndetësor në dispozicion. 

Tash është duke ndodhur një ndryshim i rëndësishëm. Për të siguruar që të gjithë pacientët me sëmundje kronike të marrin kujdes të standardizuar të cilësisë së lartë në të gjitha nivelet, Kosova po integron dhe po përqafon Udhëzimet e reja të Praktikës Klinike (UPK-të) për të ofruar kujdes të standardizuar dhe të qëndrueshëm në të tria nivelet e kujdesit shëndetësor publik.

Udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Shërbimet Spitalore Klinike dhe Universitare të Kosovës (SHSKUK), nën mbështetjen aktive të Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS) dhe Kujdesit Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), kjo punë po transformon menaxhimin e SJN-ve në Kosovë përmes forcimit të UPK-ve. Qëllimi nuk është vetëm zhvillimi i udhëzimeve moderne, por sigurimi i zbatimit efektiv të tyre në praktikën e përditshme klinike. Mënyra për ta arritur këtë është përmes bashkëpunimit të zgjeruar, trajnimit dhe zgjidhjeve inovative, duke përfshirë matjen e progresit.

Moment kyç në këtë angazhim ka qenë tryeza e rrumbullakët që u mbajt në tetor 2024, kur u një grup profesionistësh të kujdesit shëndetësor u takua për të diskutuar Udhëzimet dhe Protokollet e Praktikës Klinike për kujdesin ndaj diabetit të miratuara rishtazi. Sesioni i takimit ishte mundësi për mjekët dhe infermierët, si dhe aktorët e tjerë të shëndetësisë – politikëbërësit, ekspertët e shëndetit publik dhe menaxherët e shëndetësisë, për të harmonizuar praktikat e tyre me standardet ndërkombëtare dhe për t'u angazhuar për një qasje të unifikuar gjatë trajtimit të sëmundjes. 

Dr. Merita Emini Sadiku, udhëheqja e grupit të punës që zhvilloi udhëzimet për kujdesin ndaj diabetit, e përshkroi procesin si një përpjekje bashkëpunuese që synon përmirësimin e rezultateve afatgjata shëndetësore për njerëzit që vuajnë. "Qëllimi ynë ka qenë të harmonizojmë praktikat tona me standardet ndërkombëtare, duke i pajisur ofruesit e kujdesit shëndetësor në Kosovë me mjetet për të ofruar kujdes shëndetësor më efektiv. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të rezultateve afatgjata shëndetësore për të sëmurit me diabet”, tha ajo.

Janë duke u zhvilluar edhe disa UPK të tjera, që fokusohen në gjendje kryesore, shpesh kronike, që prekin popullatën e Kosovës, siç janë hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare. Një nga hapat më domethënës në institucionalizimin e këtyre dokumenteve udhëzuese ka qenë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit (MiM) midis SHSKUK-së dhe IHS. 

Elvir Azizi, Drejtor i SHSKUK-së, theksoi se “Partneriteti ynë synon përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në vendin tonë, dhe është në përputhje me vizion të përbashkët dhe synime të përbashkëta. Nëpërmjet këtij memorandumi, ne kemi ndërmarrë hapa konkretë drejt zhvillimit të udhëzimeve të praktikës klinike për sëmundjet kronike jongjitëse, të cilat përbëjnë një sfidë të konsiderueshme për sistemin tonë të kujdesit shëndetësor dhe për mirëqenien e qytetarit tonë. Ato janë thelbësore për standardizimin e kujdesit shëndetësor, për përmirësimin e trajtimit të pacientit, si dhe për forcimin e kapaciteteve të profesionistëve tanë të kujdesit shëndetësor”.

Miratimi i këtyre udhëzimeve përbën vetëm një pjesë të zgjidhjes. Zbatimi efektiv i tyre në institucionet e kujdesit shëndetësor publik mbetet sfidë. Për të kapërcyer hendekun midis politikës dhe praktikës, IHS dhe AQH kanë prezantuar formate inovative diskutimi me profesionistët mjekësorë, përtej trajnimeve ose sesioneve tradicionale, për shembull, duke theksuar rolin e auditimeve të brendshme dhe koordinatorëve të cilësisë, detyra e të cilëve është të monitorojnë pajtueshmërinë dhe të identifikojnë fushat për përmirësim. Përhapja e mëtejshme e programeve të Trajnimit të Trajnerëve (TiT) siguron që profesionistët mjekësorë të marrin edukim të vazhdueshëm dhe të mbeten të pajisur me praktikat më të mira në menaxhimin e SJN-ve. Zhvillimi i një vegle të re digjitale që i ndihmon pacientët të vetëmenaxhojnë dhe gjurmojnë gjendjen e tyre për t'iu përmbajtur planeve të trajtimit siç përshkruhet përmes ditarëve të pacientëve të MSH-së, paraqitet si risi për t'u zgjeruar në mbarë vendin në të ardhmen.

Teksa Kosova avancon luftën për zvogëlimin e barrës nga SJN-të, suksesi i këtyre udhëzimeve do të varet nga angazhimi i vazhdueshëm i politikëbërësve, profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe pacientëve. Miratimi dhe zbatimi i këtyre udhëzimeve përputhet me Strategjinë më të gjerë të Sektorit të Shëndetësisë të Kosovës dhe me rinovimin e ardhshëm të Planit të Përgjithshëm të Veprimit për SJN-të (aktualisht 2023-2025). Me bashkëpunim dhe përkushtim të vazhdueshëm, Kosova ka mundësinë të vendosë një standard të ri në kujdesin ndaj SJN, një standard që i jep prioritet të drejtës së çdo pacienti për trajtim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor, duke çuar në përmirësime të matshme në shëndetin dhe mirëqenien e pacientit.

Hapi i radhës në këtë rrugëtim është ofrimi i mbështetjes për institucionet kombëtare për të hartuar dhe zbatuar shtigjet e pacientëve, si procese të strukturuara që udhëzojnë individët në çdo fazë të kujdesit, nga parandalimi, e deri tek trajtimi dhe përcjellja e mëtejme. Ndërtimi i një shtegu të përqendruar tek pacienti do të sigurojë që ky progres të përkthehet në harmonizim ndërmjet udhëzimeve, institucioneve dhe përvojës së pacientit, dhe kjo do të përcaktojë të ardhmen e kujdesit ndaj SJN në Kosovë.

SQ