Trajnim për procesin e triazhimit për përmirësim të kujdesit ndaj pacientëve në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës
Më 17–18 mars 2026, Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) mbështeti trajnimin dyditor mbi sistemin dhe modelet e triazhimit në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku morën pjesë mjekë dhe infermierë nga reparte të ndryshme, me qëllim forcimin e kapaciteteve të reagimit të parë në kujdesin ndaj pacientëve.
Trajnimi u fokusua në rritjen e njohurive të profesionistëve shëndetësorë mbi systemin dhe modelet e triazhimit si proces klinik i strukturuar, që mundëson përmirësimin e rrjedhës së pacientëve në momentin e pranimit në spital, duke minimizuar vonesat në ofrimin e kujdesit për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike jongjitëse. Trajnimi ndërthurte njohuritë teorike me diskutime interaktive.
Kjo nismë do të vazhdojë me sesione praktike, të bazuara në ushtrime konkrete, të planifikuara për javët në vijim, duke u mundësuar pjesëmarrësve të zbatojnë dhe të konsolidojnë aftësitë e fituara në mjedise reale klinike.