
Plani i Veprimit për Edukimin Shëndetësor në Nivel Spitalor është në rrugën e duhur
Sektori i kujdesit shëndetësor i Kosovës po bën hapa të rëndësishëm në forcimin e edukimit shëndetësor dhe promovimit shëndetësor për sëmundjet kronike jongjitëse në nivel spitalor për 2025 – 2026. Zhvillimet më të fundit për ta përmirësuar angazhimin e pacientëve, cilësinë e shërbimit dhe rrugët e kujdesit u diskutuan gjatë takimit të Grupit Punues për Planin e Veprimit 2025-2026 për Edukimin Shëndetësor dhe Promovimin Shëndetësor në Spitale, mbajtur në Prishtinë.
Plani po përafrohet me strategjinë e re sektoriale të shëndetësisë 2025-2030 dhe standardet ndërkombëtare të njohura të HPH (spitalet promovuese të shëndetit). - Qasja e Spitaleve Promovuese të Shëndetit u mundëson spitaleve të integrojnë programet e edukimit shëndetësor, ta përmirësojnë bashkëpunimin mjek-infermier dhe t'i zgjerojnë pakot e shërbimeve për t'i adresuar më mirë nevojat e pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë (MSH), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) së bashku po i çojnë përpara këto përpjekje, me mbështetjen e IHS.
Partnerët e implementimit të IHS, Spitalet e Përgjithshme në Gjakovë dhe Pejë, kanë demonstruar tashmë progres pas vizitës së tyre studimore në Hungari vitin e kaluar, për të qenë dëshmitarë të standardit më të mirë evropian të zbatimit të qasjes HPH. Veçanërisht, sektori i kujdesit parësor shëndetësor i Kosovës tani po bëhet pjesë e rrjetit global të HPH, duke e zgjeruar më tej përkushtimin e vendit ndaj këtij modeli.
Ndërsa grupi punues fillon me planin e ri të veprimit, fokusi do të mbetet në zbatimin e qëndrueshëm me mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve. Këto përpjekje të përbashkëta të institucioneve kombëtare, profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe partnerëve ndërkombëtarë do të jenë më tej instrumentale në formësimin e së ardhmes së sistemit të kujdesit shëndetësor të Kosovës duke adresuar më mirë SKJ-të.