IHS

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës i bashkohet Rrjetit Ndërkombëtar të Spitaleve me Fokus tek promovimi i shëndetit

Më 6 mars 2024, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, drejtori Hilmi Shala pranoi certifikatën si Spital Promovues i Shëndetit, duke u bërë kështu anëtar i rrjetit global. Ky anëtarësim hap mundësi të reja për SP të Gjakovës për të shkëmbyer përvoja në nivel ndërkombëtar. Certifikatën e prezantoi Prof. Dr. Oliver Gröne, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit Ndërkombëtar të HPH-së. 

“Kjo është një nga ditët më të rëndësishme që nga themelimi i institucionit tonë”, tha drejtori i spitalit z. Hilmi Shala. “Bashkimi me Rrjetin Ndërkombëtar të Spitaleve Promovuese të Shëndetit forcon bashkëpunimin tonë me institucionet shëndetësore globale dhe mbështet progresin tonë të qëndrueshëm në ofrimin e kujdesit cilësor për komunitetin tonë.”

Duke folur në emër të projektit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (IHS), Dr. Ilir Mecini tha: “Kjo certifikatë është dëshmi e mëtejshme e përkushtimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të SHP Gjakovës drejt ofrimit të shërbimeve cilësore shëndetësore me në qendër pacientin”. 

IHS, një iniciativë e përbashkët në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, ka lehtësuar procesin e anëtarësimit të SP të Gjakovës në rrjetin e Spitaleve Promovuese të Shëndetit.

SQ