Trajnim për Intervistimin Motivues me profesionistët shëndetësorë të Gjakovës
Në javën e fundit të shkurtit, mjekë dhe infermierë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës morën pjesë në trajnimin për Intervistimin Motivues dhe Komunikimin Efektiv me Pacientët, me fokus të veçantë në trajtimin e pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse.
Trajnimi ofroi mjete praktike për t’i mbështetur pacientët në ndryshimin e sjelljes dhe në ruajtjen e motivimit gjatë gjithë rrugëtimit të tyre të trajtimit. Programi u bazua në ushtrime interaktive, diskutime rastesh dhe luajtje rolesh, duke ua mundësuar pjesëmarrësve të eksploronin kalimin nga ofrimi i këshillave udhëzuese drejt një qasjeje me pacientin në qendër, posaçërisht në mjedise spitalore të ngarkuara.
Trajnimi është i akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës me 10 kredi të edukimit të vazhdueshëm, duke kontribuar kështu në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe duke forcuar kulturën e kujdesit me pacientin në qendër, brenda mjedisit spitalor.