
Diskutim për kujdesit më të sigurt me menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës
Më 26 qershor 2025, projekti IHS organizoi takim të nivelit të lartë midis Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe Profesor Oliver Groene, Kryezyrtar Shkencor në OptiMedis. Sesioni u përqendrua në avancimin e përpjekjeve vendore për ta mishëruar sigurinë e pacientit në thelb të ofrimit të kujdesit shëndetësor.
Prof. Groene prezantoi projektin SAFEST dhe metodologjinë e tij të vetëvlerësimit, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjeve në nivel sistemi: nga protokollet e higjienës së duarve deri te zbatimi i listave komplekse të kontrollit të sigurisë. "Gabimet nuk janë njerëzore, por sistemike, dhe sistemet duhet të ridizajnohen për ta parandaluar dëmin", ishte mesazhi kryesor i diskutimit.
Menaxhmenti i SHSKUK-së mori informata rreth një sërë praktikash të bazuara në prova që synojnë përmirësimin e sigurisë përgjatë rrugëtimit të kujdesit kirurgjikal. Takimi gjithashtu shqyrtoi se si strategjitë e sigurisë mund të integrohen në kornizën e Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH), në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.