IHS

Institucionet e Kujdesit Parësor të Kosovës i bashkohen Rrjetit Global të Spitaleve që Promovojnë Shëndetin

Tri qendra kryesore të mjekësisë familjare në Kosovë: Peja, Gjakova dhe Lipjani, pranuan zyrtarisht certifikata anëtarësimi në Rrjetin e Spitaleve që Promovojnë Shëndetin (SPSH) gjatë një ceremonie të mbajtur në Pejë më 24 qershor 2025. Ky moment forcon më tej integrimin e Kosovës në platformën ndërkombëtare të SPSH-ve, duke shënuar një hap tjetër të angazhimit për promovimin e shëndetit dhe kujdesin e përqendruar te pacienti.

Gjatë fjalimit të tij në këtë ngjarje, Prof. Oliver Groene përshëndeti anëtarët e rinj, duke deklaruar si në vijim: "Ju tani jeni pjesë e një komuniteti. Po ndaj me ju një lajm se së shpejti do të lansojmë një kurs masiv online, falas, për të gjithë anëtarët e Rrjetit të Spitaleve që Promovojnë Shëndetin. Mund ta inkurajoni stafin tuaj të marrë pjesë, për të mësuar rreth promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve. Do të jetë një burim i mirë për të ardhmen."

Përveç anëtarësimit individual, Kosova tani ka rrjetin e vet kombëtar të institucioneve të SPSH, që mund të shërbejë si model për t'u ndjekur nga institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor në vend.

Kjo ngjarje pasqyron angazhimin në rritje për t'i pajisur profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë me njohuritë dhe mjetet për t'i vendosur pacientët dhe parandalimin në thelb të ofrimit të kujdesit.

SQ