
Komiteti Drejtues i IHS viziton Spitalin e Gjakovës për ta shqyrtuar progresin
Më 13 qershor 2025, Komiteti Drejtues i projektit Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) vizitoi Spitalin Rajonal të Gjakovës për ta vëzhguar zbatimin e projektit në nivel institucioni. Vizita ishte pjesë e agjendës së takimit të pestë të Komitetit Drejtues të projektit.
Vizita filloi në Klinikën Ambulantore, ku delegacionit iu prezantuan qasje të reja në menaxhimin e diabetit dhe hipertensionit. Këto qasje përfshijnë këshillimin klinik, kujdesin për këmbën diabetike dhe neuropatitë e diagnostikuara përmes elektromiografisë (ENMG). Stafi i vijës së parë prezantoi programin inovativ të vetëmenaxhimit me aplikacionin e lehtë për përdoruesit "Monitorim". Vizita prezantoi edhe materiale edukative për pacientët: broshura, postera dhe video, si dhe procedurat standarde operative që synojnë përmirësimin e ofrimit të kujdesit.
Në Repartin e Internos, stafi i spitalit prezantoi punën e përditshme dhe përmirësimet e mbështetura nga projekti IHS. Vizitorët panë dhomën e Edukimit Shëndetësor dhe mësuan rreth shërbimeve të këshillimit të pacientëve në reparte. Ekipi prezantoi gjetjet nga anketa e fundit mbi përvojën e pacientëve dhe përshkroi programet e vazhdueshme të trajnimit të udhëhequra nga specialistë, në partneritet me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Në pikën ku po ndërtohet hapësira e re shumëfunksionale, fokusi kaloi te planet e ardhshme të zhvillimit. Prezantimet nxorën në pah modelin e Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH), strategjitë për optimizimin e fluksit të pacientëve, zbatimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë dhe përpjekjet për ta forcuar angazhimin e pacientëve.
Vizita përfundoi në lokacionin e propozuar për ndërhyrjet e ardhshme, duke riafirmuar rolin e Spitalit të Gjakovës si një nga dy spitalet e përgjithshme partnere kryesore në avancimin e shërbimeve shëndetësore të integruara në rajon. Vizita vuri në dukje vlerën e lidershipit lokal dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të projektit IHS.