
Takimi i pestë i Komitetit Drejtues të Projektit IHS fokusohet në hapat e ardhshëm
Më 13 qershor 2025, Komiteti Drejtues (KD) i projektit Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS) mbajti takimin e tij të pestë për të shqyrtuar progresin dhe për të harmonizuar prioritetet teksa projekti i afrohet fundit të vitit të tretë të zbatimit. Përfaqësues nga institucionet kryesore partnere u takuan në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, një nga lokacionet e Projektit IHS, për të reflektuar mbi progresin që po arrihet dhe për të hartuar strategji për pjesën tjetër të Fazës I të Projektit.
Z. Peter Sidler, Zëvendës Shef i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ambasadën e Zvicrës dhe bashkëkryesues i KD-së, vuri në dukje se konteksti në të cilin vepron projekti IHS ka evoluar që nga fillimi i tij. "Fazës së parë po i vjen fundi dhe vëmendja jonë tani zhvendoset në procesin përpara gjatë 12 muajve të ardhshëm", tha ai. "Kemi mundësinë unike për të punuar në mënyrë kreative me partnerët tanë, për të prezantuar nuanca në qasjen tonë dhe për ta shfrytëzuar sa më mirë potencialin e projektit".
Dr. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, po ashtu bashkëkryesues i KD-së, ndau të rejat mbi ndërhyrjet e ndryshme në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të financimit. Anëtarët e tjerë të KD-së dhe pjesëmarrësit e takimit patën gjithashtu mundësi të shkëmbejnë mendimet dhe të flasin rreth zhvillimeve.
Takimi përfshiu prezantime nga ekipi i projektit, njohuri të vlefshme nga palët e interesit dhe një vizitë në ambientet e Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, me fokus të veçantë në hapësirat që po përmirësohen dhe funksionet që po zgjerohen në bashkëpunim me Projektin IHS, për ta mbështetur më mirë rrugëtimin shëndetësor të pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse dhe popullatës në përgjithësi.