Hapësira e re e pritjes në Spitalin e Gjakovës ndërthur kujdesin me edukimin shëndetësor
Më 18 shkurt 2026, Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës organizoi një aktivitet për të prezantuar funksionet e recepsionit të ri, i konceptuar për t’i ndërthurur shërbimet shëndetësore dhe edukimin shëndetësor në një mjedis praktik dhe me fokus te pacienti.
Përfaqësuesit e spitalit demonstruan në praktikë funksionet e shumta të kësaj hapësire. Pacientëve që jetojnë me sëmundje kronike jongjitëse iu mat tensioni i gjakut dhe niveli i glukozës, ndërsa familjarë dhe aktivistë të komunitetit iu bashkuan stafit shëndetësor në biseda të hapura mbi zakonet e përditshme, ushqyerjen, përdorimin e barnave dhe aspektet emocionale të jetesës me sëmundje kronike.
Z. Hilmi Shala, Drejtor Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës, tha: “Ky mjedis i recepsionit krijon një urë mes kujdesit klinik dhe jetës së përditshme, duke fuqizuar pacientët të bëhen partnerë aktivë në menaxhimin e shëndetit të tyre”.
Hapësira e re e shndërron recepsionin tradicional në një mjedis të përbashkët mësimi, ku pacientët dhe familjet bëhen partnerë aktivë në kujdes.
“Zvicra është krenare që bashkëpunon me institucionet e Kosovës për të forcuar sistemin shëndetësor, me fokus të veçantë në adresimin e sëmundjeve kronike jongjitëse, që prekin mijëra familje në mbarë vendin dhe kërkojnë kujdes afatgjatë, të koordinuar dhe me ndjeshmëri. Pikërisht për këtë arsye kujdesi i përqendruar te pacienti është kaq thelbësor. Hapësira që shohim sot është shpalosje shumë praktike e kësaj qasjeje”, tha Merita Stavileci Mustafa nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Përmes këtij investimi, Zvicra vazhdon të mbështesë Kosovën në zhvillimin e zgjidhjeve praktike që përmirësojnë shërbimet shëndetësore, fuqizojnë pacientët dhe kontribuojnë në komunitete më të shëndetshme.