Grupi i parë përfundon Trajnimin mbi Përshtatjen e Udhërrëfyesve të Praktikës Klinike
Më 17 dhjetor 2025, grupi i parë i përbërë nga profesionistë të shëndetit, ekspertë klinikë dhe stafi i Ministrisë së Shëndetësisë përfundoi me sukses një trajnim intensiv treditor mbi metodologjinë e zhvillimit dhe përshtatjes së Udhërrëfyesve të Praktikës Klinike (UPK) dhe protokolleve klinike. Trajnimi mbështet objektivin strategjik të Ministrisë së Shëndetësisë për ta forcuar vendimmarrjen klinike të bazuar në prova, të qëndrueshme dhe relevante në nivel kombëtar në të gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës.
Programi u përqendrua në pajisjen e pjesëmarrësve me njohuri dhe aftësi praktike për t’i përshtatur dokumentet udhëzuese ndërkombëtare mbi praktikën klinike në kontekstin vendor dhe atë lokal të Kosovës. Pjesëmarrësit eksploruan metodologjitë e strukturuara të përshtatjes së udhërrëfyesve që synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, sigurinë e pacientit, menaxhimin e sëmundjeve dhe qeverisjen klinike, duke siguruar njëkohësisht përafrimin me prioritetet kombëtare.
“Në rolin tim si politikëbërëse, pjesëmarrja në këtë trajnim ishte thelbësore për përafrimin e politikave vendore shëndetësore me standardet klinike ndërkombëtare”, tha Ariana Qerimi, Udhëheqëse e Divizionit të Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë.