Oda e Infermierëve finalizon rishikimin e Kodit të Etikës dhe Kornizës Rregullatore
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK), ka finalizuar rishikimin e Kodit të Etikës dhe rregulloreve përcjellëse, të cilat përcaktojnë rolet dhe procedurat e Prokurorit, Këshillit Etik dhe Gjyqit të Nderit në kuadër të organizatës.
Punëtoria treditore e mbajtur javën e kaluar, ku mori pjesë përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe në përfaqësim gjithëpërfshirës të anëtarësisë së OIK-së, me qëllim të avancimit të mbikëqyrjes etike dhe standardeve profesionale për profesionistët e kujdesit shëndetësor, theksoi rëndësinë e këtyre kornizave. Kryetarja e OIK-së, Nexhmije Gori, theksoi rëndësinë kritike të Kodit të Etikës si një udhëzues gjithëpërfshirës për sjelljen profesionale, duke u bërë thirrje anëtarëve që të marrin pjesë aktive në proces, për gjithëpërfshirje dhe transparencë.
Për të siguruar transparencë të plotë, OIK njoftoi se draftet e finalizuara do të jenë të hapura për konsultim publik, duke i inkurajuar të gjithë anëtarët që të japin komente dhe sugjerime.
Nexhmije Gori, kryetare e OIK-së, theksoi: “Falënderojmë sinqerisht projektin Shërbimet Shëndetësore të Integruara për mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e punëtorisë për rishikimin e Kodit të Etikës dhe rregulloreve përkatëse. Kontributi juaj ka qenë vendimtar në përditësimin e dokumenteve kyçe që promovojnë integritetin dhe etikën profesionale në komunitetin tonë. Një mbështetje e tillë fuqizoi kapacitetin tonë për t’iu përgjigjur sfidave profesionale dhe etike me profesionalizëm dhe drejtësi”.