IHS

Shënohet Dita e Mbulimit Shëndetësor Universal

Në Kosovë u shënua sot Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal (MSHU). Aktiviteti, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe me mbështetjen e Projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), u fokusua tek tematika globale e MSHU-së për këtë vit "Shëndeti: Përgjegjësi e Qeverisë".

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku, theksoi rëndësinë e mbulimit universal shëndetësor në përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët e Kosovës. “Shënojmë bashkë Ditën e Mbulimit Shëndetësor Universal, një çështje me rëndësi për të ardhme më të mirë që është dhe në qendër të vizionit tonë. MSHU nuk është vetëm politikë shëndetësore, por edhe gurthemel i drejtësisë sociale; nuk është destinacion, por rrugëtim në vazhdimësi. Arritja e MSHU është detyrim i yni dhe së bashku mund ta krijojmë një botë ku shëndeti nuk është luks, por premtim i përmbushur për të gjithë. Të angazhohemi të gjithë për këtë qëllim fisnik që askush mos mbetet prapa për një të ardhme të shëndetshme për të gjithë”, tha ajo.

Peter Sidler, nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, tha se Zvicra mbetet një partner i besueshëm i Kosovës dhe mbështet përpjekjet e vendit për të forcuar sistemin shëndetësor. “Angazhimi ynë ilustrohet nga projektet IHS dhe AQH që mbështesin institucionet shëndetësore të Kosovës për të ofruar kujdes gjithëpërfshirës, të integruar dhe të qasshëm, me fokus tek pacienti. Besojmë se shëndeti është parakush themelor që çdo vend të shfrytëzojë potencialin e plotë. Vlerësojmë lart që Qeveria dhe javën e kaluar edhe Kuvendi i Kosovës kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt realizimit të qëllimit që të gjithë njerëzit të kenë qasje në shërbime shëndetësore cilësore që u nevojiten, pa pësuar vështirësi financiare gjatë pagesës së tyre.”

Nga ana tjetër, Agron Bytyqi, Drejtor Ekzekutiv i PRAK, vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së organizatave të pacientëve në formësimin e politikave shëndetësore që mundësojnë MSHU-në. “Është viti i nëntë që shënojmë Ditën e MSHU, dhe këtë vit, duke u nisur nga motoja, është përgjegjësi e secilit që të japim kontributin tonë ta plotësojmë sa më mirë kutinë e mbulimit universal shëndetësor. Uroj që nga ky takim të dalin ide të bashkëpunimit më të madh për të ndikuar në MSHU,” theksoi z. Bytyqi. 

Kryeshefja e Aleancës Ndërkombëtare të Organizatave të Pacientëve Znj. Daniela Mothci pati prezantimin mbi “Rolin e organizatave në avancimin e MSHU-së”. Më pas, ngjarja vazhdoi me diskutime të thelluara në dy panele. Paneli i parë me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit Kosovar për Sigurim Shëndetësor, Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Ministrisë Financës, Transfereve dhe Punës shtjelloi temën “Zotimi I Qeverisë dhe mbështetja për MSHU-në”. Në panelin e dytë, përfaqësues të UNICEF, UNFPA, IAPO dhe projektit AQH Mbështetja për MSHU-në nga entitetet e OKB-së dhe organizata të tjera e trajtuan MSHU-në nga këndvështrimi i agjencive të OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Ngjarja riafirmoi zotimin për veprim të përbashkët - institucione, organizata të shoqërisë civile dhe organizata ndërkombëtare për të arritur shëndet më të mirë për të gjithë në Kosovë.

SQ