Theksimi i progresit me aplikacionin për vetëmenaxhimin e diabetit në Kosovë
Më 9 dhjetor 2025, projekti IHS fasilitoi takimin e Grupit Punues për Programin e Vetëmenaxhimit të Diabetit dhe Hipertensionit, të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë. Në takim, pjesëmarrësit shqyrtuan rezultatet e hulumtimit të zbatimit në fazën fillestare të përdorimit të aplikacionit digjital MonitorIM për vetëmenaxhimin e pacientëve me diabet dhe hipertension, si dhe diskutuan hapat e ardhshëm në mbështetjen e pacientëve në distancë.
Kryesuesi i Grupit Punues, Niman Bardhi, nga Ministria e Shëndetësisë, vuri në dukje se arritjet e fundit pasqyrojnë përpjekjen kolektive të institucioneve, profesionistëve të shëndetit dhe partnerëve të përfshirë në të gjitha fazat e zhvillimit, duke vlerësuar bashkëpunimin pas aplikacionit dhe zbatimit të tij. "Mbështetja e IHS me financimin e SDC ka qenë jetike për zhvillimin e mjetit digjital dhe qëndrueshmëria dhe zgjerimi mbeten prioritet i përbashkët", tha ai, duke theksuar rëndësinë e veprimit të përbashkët në të gjithë sistemin shëndetësor.
Dr. Lia Tavadze, Udhëheqëse e Ekipit të projektit IHS, falënderoi të gjithë partnerët për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer gjatë gjithë procesit dhe nënvizoi se profesionistët e shëndetit, menaxherët, inovatorët dhe shoqëria civile luajtën një rol kyç në formësimin e qasjes së MonitorIM, duke shtuar se bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës ka qenë thelbësor për t'i kuptuar modelet e sjelljes së pacientëve dhe personelit shëndetësor gjatë përdorimit të mjetit.
Përfaqësuesja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), znj. Merita Stavileci theksoi se mjeti kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë, qasjes dhe integrimit të shërbimeve të lidhura me SKJ-të në Kosovë. Ajo theksoi se fuqizimi i pacientit është qëllim qendror dhe se zgjidhjet digjitale ofrojnë një mënyrë efektive për ta forcuar vazhdimësinë e kujdesit përmes monitorimit në distancë.
Gjetjet e hulumtimit për zbatimin u prezantuan nga Linda Hoxha nga Instituti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndjekur nga një diskutim i hapur mbi mësimet e nxjerra dhe prioritetet për ta forcuar mjetin dhe për të ecur përpara. Fjalët përmbyllëse u përqendruan në hapat e ardhshëm brenda Planit të Veprimit 2025-2026 për t'i zgjeruar shërbimet digjitale të vetmenaxhimit dhe për t'i mbështetur institucionet e kujdesit shëndetësor në zbatimin e MonitorIM.