IHS

Rikonceptimi i qasjes së kujdesit shëndetësor në spitale

Qasja e Spitaleve Promovuese të Shëndetit (HPH) është një mënyrë inovative për t'i dhënë prioritet mirëqenies përmes edukimit, parandalimit, kujdesit shëndetësor të integruar, praktikave të bazuara në dëshmi dhe përfshirjes së komunitetit. Qëllimi i kësaj qasjeje është të rrisë efikasitetin e kujdesit shëndetësor spitalor duke ulur faktorët e rrezikut dhe duke u mundësuar pacientëve të vetëmenaxhojnë më mirë sëmundjet e tyre.

Projekti i Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS) organizoi një takim të grupit punues për ta prezantuar këtë qasje që të zhvillohet një program spitalor bazuar në Standardet e Promovimit Shëndetësor Spitalor 2020 dhe në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor në vend.

Takimi njoftues i mbajtur këtë javë është pjesë e një procesi në vazhdim e sipër që ka filluar në korrik me krijimin e Grupit Punues të bashkëkryesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Pjesëmarrësit u fokusuan në hapat kryesorë të ndjekjes së qasjes së HPH: vlerësimi bazë në çdo spital për të identifikuar fushat dhe prioritetet kyçe të kërkuara në çdo Spital të Përgjithshëm; strategjitë për integrimin e edukimit shëndetësor në praktikën dhe rrjedhën e punës së kujdesit, zhvillimin e programeve të trajnimit për personelin spitalor dhe përcaktimin e mekanizmave monitorues dhe vlerësues. Grupi i standardeve, të përcaktuara me iniciativën e Spitaleve Promovuese të Shëndetit, përcakton referencën për hartimin e planit të punës në çdo spital.

“Sëmundjet jongjitëse kërkojnë kontribut dhe angazhim të pacientit që nuk është më pak i rëndësishëm se protokollet mjekësore për trajtimin e tyre. Nga ana tjetër, kontakti i pacientit me spitalin përfaqëson një fazë specifike të sëmundjes ku pacienti ka vullnet më të madh për t'u përfshirë në vetëmenaxhim. Rrjedhimisht, ky shërbim i promovimit shëndetësor, i specializuar sipas fazave të trajtimit të sëmundjes, do të rriste efikasitetin e çdo protokolli mjekësor që zbatohet”, tha Fabian Cenko, drejtor i projektit IHS.

Në takim, anëtarët e GP-së morën udhëzime se si të përdorin mjetet e vetëvlerësimit të nevojshëm për vlerësimin fillestar për zbatimin e standardeve të HPH. Aktiviteti i vetëvlerësimit tashmë ka filluar me Spitalet e Përgjithshme në Pejë dhe Gjakovë.

SQ