Infermierët e Kosovës ofrojnë kujdes të specializuar për pacientët me diabet
Betejë personale me diabetin
Kur Ylfete Spahiu, tani 50, ishte shtatzënë me fëmijën e saj të pestë, ajo zbuloi se ishte me diabet. Ajo u trondit, pasi shumë nga familjarët e saj ishin me diabet. Ajo e dinte se jeta në vazhdim nuk do të ishte e lehtë. Atë ditë, para 12 viteve, Ylfetja u ndje se po luftonte me sfidën më të madhe pasi nuk dinte se si ta menaxhonte diabetin.
Sfida në shëndetësinë e Kosovës
Studimet e fundit tregojnë që Kosova ka disa nga treguesit më të këqij në shëndetësi në Evropën Juglindore, me prevalencë të lartë të Sëmundjeve Kronike Jongjitëse (SJN-ve). Vlerësimet tregojnë që një në shtatë njerëz të moshës mbi 40 vjeçare është i prekur me diabet, hipertension apo sëmundje të mushkërive. Këto sëmundje duhet të menaxhohen vazhdimisht, shpesh duke angazhuar ofrues të shumtë të kujdesit shëndetësor dhe trajtime të specializuara. Infermierët, si ofruesit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë, luajnë rol shumë të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë dhe edukimin e këtyre pacientëve për menaxhimin e sëmundjes së tyre, që zgjat gjatë gjithë jetës.
Roli i infermierëve në menaxhimin e diabetit
“Menaxhimi i diabetit shndërrohet në angazhim gjatë të gjithë jetës për pacientët tanë dhe kërkon ndryshime në stilin e jetës,” thotë Arta Hyseni, infermiere në repartin e mjekësisë interne në Spitalin e Përgjithshëm (SP) të Pejës. Në fillim të vitit 2024, ky spital u anëtarësua në rrjetin e Spitaleve Ndërkombëtare për Promovimin e Shëndetësisë. “Infermierët e mbështesin trajtimin e pacientëve dhe, një gjë tjetër po aq e rëndësishme, ata i edukojnë pacientët se si të merren me këtë sëmundje në vazhdimësi. Ne punojmë nga afër me pacientët, kujdestarët e tyre dhe pjesëtarët e komunitetit. Edukimi dhe parandalimi janë çelësi për një jetë më të mirë.”
Infermierja e ndërrimit të natës, Dafina Hajdaraj, po nga SP i Pejës, shton “Menaxhimi jo i duhur i diabetit dhe mungesa e informimit, së bashku me keqinformimet e lidhura me shëndetin, i prekin pacientët në masë të madhe. Kështu që unë bisedoj me pacientët për ushqimet që duhet t’i konsumojnë apo nuk duhet t’i konsumojnë, sa është e rëndësishme t’i kemi këpucët e përshtatshme, nga çfarë lloj informacioni në internet ose thashetheme duhet të kenë kujdes dhe sa të rëndësishme janë ushtrimet”.
Trajnim i specializuar për infermierët
Arta dhe Dafina kanë përfunduar së fundi një program trajnimi të specializuar për infermierë, me fokus në menaxhimin e SJN-ve, trajtimin e kujdesit për pacientë, procedurat e trajtimit dhe përgjegjësitë administrative.
Majlinda Sadiku, Kryeinfermiere në repartin e mjekësisë interne në SP të Pejës, thotë se trajnimi ka përmirësuar në masë të madhe rrjedhën e punës në repart. “Reparti ynë ka ngarkesë të madhe me punë. Trajnimi ku kanë marrë pjesë infermieret më ka mundësuar mua që t’i delegoj detyrat në mënyrë më efektive. Për shembull, kur kam shkuar në pushim, kemi pasur kornizë më të mirë për delegimin e detyrave: tani kushdo mund të më zëvendësojë, jo vetëm një infermier, siç ka qenë më herët. Kjo e ka fuqizuar ekipin dhe e ka përmirësuar cilësinë e bashkëpunimit dhe menaxhimit".
Rezultate të përmirësuara të pacientëve
Ylfetja është duke e menaxhuar shumë më mirë diabetin prej kur ka mësuar se si ta përdorë lapsin e insulinës nën udhëzimin e kujdesshëm të infermierëve të spitalit. Ajo ka pasur disa episode të rënda, që kanë rezultuar në shtrirje në spital, kështu që këshillat e infermieres Arta dhe infermierëve të tjerë janë shndërruar në fjalë të pazëvendësueshme për të.
“Ndihem më e sigurt kur e di që infermierët që kujdesen për mua vazhdimisht mësojnë gjëra të reja,” thotë Ylfetja, derisa infermieret Arta dhe Dafina i japin shërbimet për nevojat e saj shëndetësore në Këshillimore.
Në kërkim të zgjidhjeve në sistemin e kujdesit shëndetësor
Përkundër angazhimit të tyre, infermierët e spitaleve në Kosovë përballen me sfida të konsiderueshme, veçanërisht në menaxhimin e detyrave komplekse klinike dhe ofrimin e kujdesit të specializuar. Mundësitë e kufizuara për trajnim të specializuar pas atij bazik e pengojnë qasjen më gjithëpërfshirëse dhe me pacientin në qendër nga infermierët me trajnim të duhur për ata që vuajnë.
Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS) është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë dhe Qeverisë Zvicerane, që punon me institucionet e Kosovës për të lehtësuar më tej mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve kombëtare në sektorin e shëndetësisë. IHS-ja ka për qëllim fuqizimin e barabartë të pacientëve për të qenë aktiv në kontrollimin e problemeve të tyre shëndetësore dhe faktorëve të rrezikut. Projekti ka për qëllim fuqizimin konkret të bashkëpunimit ndërmjet qendrave të kujdesit parësor shëndetësor dhe spitaleve, duke çuar në kujdes më të integruar dhe efektiv për SJN-të.
Nismat për trajnim dhe zhvillim
Për këtë qëllim, IHS-ja ka realizuar një Vlerësim të Nevojave për Trajnim për t’i identifikuar temat klinike me prioritet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në spital. Rezultatet e vlerësimit janë përdorur për hartimin dhe ofrimin e Programit të Trajnimit të Specializuar për Infermierë, akredituar nga Oda e Infermierëve në Kosovë. Ky program është zbatuar nga muaji prill deri në muajin qershor të vitit 2024 dhe 529 infermierë nga dy spitalet partnere të IHS-së, si Spitali i Përgjithshëm i Pejës dhe Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës, kanë përfunduar këtë trajnim.
Temat e trajnimit ishin mbikëqyrja infermierore, kujdesi për pacientët me SJN, kujdesi infermieror për pacientët me këmbë diabetike, komunikimi dhe marrëdhëniet ndërpersonale në kujdesin shëndetësor dhe lufta kundër informimit të rremë dhe keqinformimit. Pakoja gjithashtu ka përfshirë edhe Trajnimin e Trajnerëve për menaxhimin e diabetit mellitus te të rriturit.
Bashkëpunimi i rritur ndërmjet infermierëve dhe mjekëve
Dr. Teuta Goga, endokrinologe në SP të Pejës, thekson që trajnimi ka pasur ndikim pozitiv në marrëdhënien ndërmjet infermierëve dhe mjekëve. Për Dr. Teuta, komunikimi i tillë i përmirësuar siguron kujdes të vazhdueshëm dhe shkëmbim të informacioneve në kohë. “Trajnimi ka qenë i vlefshëm pasi infermierët kanë fituar njohuri, besim dhe shkathtësi shtesë. Gjithashtu i ka vetëdijesuar infermierët për rolin e tyre shumë të rëndësishëm në kujdesin për pacientët”. Një përfitim tjetër nga trajnimi sipas Dr. Teuta është “se pacientët tani janë më të informuar për sëmundjen e tyre dhe kujdesin e nevojshëm që duhet ta marrin, duke përfshirë nevojat për dietë dhe marrjen e kalorive”.
Trajnimi i fokusuar në kujdesin për këmbën diabetike
Qëllimi i trajnimit ishte që të fillohet edukimi shëndetësor i fokusuar në kujdesin për pacientët. Sadete Ejupi – Kallaba, një nga trajneret e programit, thekson sesionin specific për shputën diabetike.
“Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit kanë mësuar teknika të avancuara për metodat e ekzaminimit dhe kujdesit për këmbën, që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe parandalimin e komplikimeve të mundshme që lidhen me diabetin. Ky program trajnimi, i kombinuar me pajisjet specifike të instaluara nga IHS-ja për përmirësimin e kujdesit për shputën diabetike në spital, kanë për qëllim fuqizimin e infermierëve me njohuri dhe shkathtësi të reja, duke i bërë më të aftë për t’i ndihmuar pacientët në menaxhimin e sëmundjes së tyre në mënyrë më efektive dhe të pavarur”.
Trajnim praktik për rezultate më të mira
“Pjesa e trajnimit për trajtimin e shputës diabetike ka qenë veçanërisht e dobishme. Informacionet dhe shkathtësitë e reja që janë fituar janë shtjelluar mirë; kemi fituar njohuri të avancuara, p.sh., si ta përdorim pirunin akustik dhe për çka përdoret. Para atij trajnimi, ne kemi menduar që përdoret vetëm në repartin e neurologjisë apo ortopedisë. Nuk e kemi ditur që mund ta përdorim edhe për pacientët me diabet”, thotë infermierja Arta.
Sipas pjesëmarrësve, programi i trajnimit ka qenë konkretisht i dizajnuar për zhvillimin e shkathtësive praktike, të cilat e kanë bërë të gjithë ndryshimin. Loja në role është përdorur si mjet për t’i shpjeguar konceptet dhe procedurat, shoqëruar me mësim të avancuar teorik.
Rruga përpara në kujdesin për diabetin
Programet e trajnimit të specializuara për infermierët në Kosovë, siç është ai i implementuar nga Projekti IHS, janë segment kyç për përmirësimin e rezultateve të kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje kronike, si diabeti. Duke i pajisur infermierët me shkathtësi dhe njohuri të avancuara, këto programe e rrisin cilësinë e kujdesit për pacientët, promovojnë menaxhimin më të mirë të sëmundjes dhe nxisin mjedis më bashkëpunues të kujdesit shëndetësor.
Avancimi i aftësive të infermierëve për të ofruar jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe edukim dhe mbështetje praktike për pacientët, bën të mundur që individët si Ylfete Spahiu të mund të jetojnë një jetë më të shëndetshme, pavarësisht diagnozave, që tani mund të menaxhohen më lehtë me mbështetjen e IHS-së.