
Hapa konkretë për të forcuar menaxhimin e kujdesit shëndetësor
Kryeshefi Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Spitaleve (IHF), z. Ronald Lavater, vizitoi Kosovën këto ditë, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në menaxhimin e kujdesit shëndetësor dhe zhvillimin e spitaleve.
Gjatë vizitës, z. Lavater zhvilloi një takim të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) Dr. Naim Bardiqi dhe Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), z. Elvir Azizi, duke u fokusuar në bashkëpunimin e ardhshëm për menaxhimin e spitaleve dhe programet e ndërlidhura të trajnimit, si dhe mundësitë e rrjetëzimit ndërkombëtar.
Në takime u mblodhën përfaqësues të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, por edhe anëtarë të Bordit të Drejtorëve të SHSKUK-së dhe zyrtarë kryesorë të MSH-së.
Në të dy takimet, përfaqësuesit vendorë theksuan rëndësinë e rritjes së kapaciteteve menaxheriale përmes shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare dhe programeve të specializuara të trajnimit. Ata gjithashtu shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të IHS në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore publike në sektorin spitalor të Kosovës.
Kjo vizitë është hap i konsiderueshëm drejt ndërtimit të partneriteteve të reja strategjike, që synojnë përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj sëmundjeve jokronike në të gjitha nivelet e sektorit shëndetësor të vendit, duke ofruar mundësi të reja për rritje profesionale në menaxhimin e kujdesit shëndetësor.