Përfundon me sukses trajnimi i grupit të parë për menaxhim shëndetësor
Grupi i parë i profesionistëve nga institucionet shëndetësore të Kosovës e ka përfunduar me sukses programin e Trajnimit për Menaxhim Shëndetësor, i cili përbëhej nga pesë module. Gjatë periudhës maj 2025 – prill 2026, ky program u ka mundësuar pjesëmarrësve të forcojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në planifikimin strategjik në shëndetësi, udhëheqje, sistemin e menaxhimit të cilësisë dhe auditimin klinik, monitorim dhe vlerësim, si dhe menaxhim të burimeve.
Moduli i fundit, treditor, i mbajtur nga 31 marsi deri më 2 prill dhe i ligjëruar nga tre trajnerë të ndryshëm, u fokusua në prokurim, burime njerëzore dhe menaxhim financiar në sektorin e shëndetësisë, duke vënë theksin te qasjet praktike për menaxhimin e burimeve të kufizuara, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e kujdesit. Gjatë sesioneve u trajtuan tema kyçe si proceset e prokurimit publik, planifikimi i fuqisë punëtore në spitale dhe vendimmarrja strategjike financiare. Pjesëmarrësit u angazhuan në raste studimore, punë në grupe dhe simulime, me qëllim të identifikimit të joefikasitetit dhe optimizimit të shpërndarjes së burimeve për rezultate më të mira për pacientët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kujdesit shëndetësor të bazuar në vlerë, duke i nxitur pjesëmarrësit të shqyrtojnë se si vendimet ndikojnë në rrugëtimin e pacientit dhe në ofrimin e shërbimeve. Diskutimet theksuan gjithashtu rolin e stafit klinik dhe atij menaxherial në uljen e humbjeve operacionale dhe përmirësimin e treguesve të brendshëm të performancës.
Trajnimi për Menaxhim Shëndetësor organizohet nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës me mbështetjen e projektit Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS).