Nisma për përmirësimin e raportimit për sëmundjet kronike jongjitëse bën bashkë gazetarë dhe ekspertë të sektorit të shëndetësisë
Më 30 mars 2026, gazetarë dhe ekspertë të shëndetit publik u mblodhën për lansimin e nismës “Përtej titujve: gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”. Ky bashkëpunim realizohet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Shërbimeve Shëndetësore të Integruara (IHS).
Takimi i parë ndërmjet gazetarëve dhe ekspertëve nxori në pah nevojën për raportim më të qartë dhe më të thelluar për sëmundjet kronike jongjitëse (SJN) në Kosovë. Folës nga Ministria e Shëndetësisë, IHS dhe AGK theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet mediave dhe profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që informacioni kompleks shëndetësor të bëhet më i qasshëm për publikun.
Pjesëmarrësit diskutuan temat prioritare dhe krijuan ekipet gazetar–ekspert, që do të bashkëprodhojnë artikuj, intervista dhe përmbajtje të formateve të tjera gjatë zbatimit të projektit. Nisma synon të forcojë gazetarinë shëndetësore, të përmirësojë të kuptuarit e publikut për SJN-të dhe të promovojë raportim më të saktë dhe të përqendruar tek qytetari.